Java e 33-të e Abissnet Superiores ka rezervuar ndeshjen më të rëndësishme të futbollit shqiptarë që është derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit, sfidë që nis në orën 18:30, në stadiumin “Air Albania”.
Edhe tre javë kanë mbetur nga fundi i këtij edicioni për të mësuar deri në fund se cili do të jetë triumfatori. Kjo ndeshje do të ketë brenda 90 minutave atmosferë, spektakël, emocione, nervozizëm, agresivitet dhe show nga tifozeritë.
Aktualisht, Tirana është në vendin e parë të tabelës me 59 pikë, ndërsa Partizani në vendin e dytë me 57 pikë. Te dy skuadrat janë pothuajse në të njëjtën formë, me bardheblutë të cilët kanë regjistruar katër fitore dhe një humbje në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa të kuqtë kanë regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Bardheblutë e drejtuar nga Orges Shehi duan të mbajnë vendin e parë në klasifikim dhe të ëndërrojnë për titullin e dytë kampion radhazi, ndërsa për Partizanin e drejtuar nga Giovanni Collella, fitorja është obligim për të marrë vendin e parë e më pas për të luftuar deri në fund të kampionatit për të ngritur titullin kampion.
Derbi ka një interesim mjaft të madh nga tifozët pasi deri tani janë shitur rreth 14 mijë bileta për këtë ndeshje.