Pasi eleminuan në gjysmëfinalen e parë Shënkollin duke e mundur me rezultatin e thellë 4-0, kuqeblutë ishin në pritje për të mësuar kundërshtarin e tyre të finales së Kupës së Shqipërisë që do të dilte nga sfida tjetër gjysmëfinale, Partizani-Tirana. E përfunduar vetëm pak minuta më parë, 90-të minutat e kohës së rregullt të kësaj ndeshje u mbyllën në barazim me rezultatin 0 me 0. Kështu që, për të përcaktuar ekipin fitues, sipas rregullores është dashur gjuajtja e penalltive. Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Gentjan Stojku janë treguar më të saktë pasi kanë shënuar 4 herë ndaj 2 të Partizanit duke u kualifikuar për në finale.
Në këtë mënyrë, finalja e Kupës së Shqipërisë për kategorinë U-19 ka vënë përballë, Vllazninë dhe Tiranën, një klasike kjo e futbollit shqiptar, e cila pritet të dhurojë emocione dhe spektakël. Me ecurinë mjaft pozitive të këtij sezoni futbollistik, vendi i parë dhe titulli simbolik kampion i dimrit në kampionat, si dhe paraqitja e shkëlqyer në ndeshjet kualifikuese të Kupës së Shqipërisë, janë një garanci e plotë që kuqeblutë e drejtuar nga tranerët Luan Zmijani dhe Gjon Kola të sjellin në Shkodër trofeun e Kupës së Shqipërisë.
Nga sa mësohet, FSHF, akoma nuk e ka vendosur datën se kur do të luhet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë U-19, Vllaznia-Tirana. Ndërkohë, në pritje të kësaj finaleje, këtë fundjavë, ekipet e moshave U-19 dhe U-21 të kategorisë Superiore do të luajnë javën e parë të fazës së dytë të kampionatit kombëtar të moshave.