Thursday, April 25, 2024

Vllaznia U-19 kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë, mund Shënkollin 4-0, spikat Ardit Nikaj me tre gola të shënuar

Lexo

Vllaznia-Shënkolli, ishte njëri nga çiftet gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë në futboll për kategorinë U-19, takim ky i luajtur paraditen e sotme në Kompleksin Sportiv Internacional në Pezë Helmës dhe që u prit me shumë interes nga opinioni sportiv. Luhej një derbi verior, por ndërkohë përballë ishin edhe dy skuadra që gjatë fazës së parë të kampionatit kanë shfaqur një nivel të kënaqshëm, rivaliteti i të cilave ka shkuar deri aty sa në përballjen direkte të luajtur në “Reshit Rusi” të Shkodrës fiksuan barazimin 2-2.

Por, nga ajo që prodhoi takimi i sotëm, gjysmëfinalja në fjalë foli krejt ndryshe. Kuqeblutë e Vllaznisë treguan një superioritet të dukshëm, gjë që pasqyrohet edhe në shënimin e katër golave në portën e Shënkollit, ndërkohë që ruajtën të paprekur rrjetën e portës së tyre. Kështu, në përfundim të 90-të minutave lojë, rezultati përfundimtar ishte Vllaznia 4 dhe Shënkolli 0. Rezultat ky që e kualifikon Vllazninë në finalen e Kupës së Shqipërisë për kategorinë e moshës U-19.

Protagonisti kryesor i fitores së sotme është Ardit Nikaj, një futbollist ky i talentuar i cili ka shënuar në çdo ndeshje, madje edhe me dopieta. Por, sot, e veçanta e Ardit Nikajt është se ai arriti të shënojë 3 herë në portën kundërshtare të Shënkollit, përkatësisht në minutat 10’, 66’ dhe 77-të. Në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë për klasin që ai tregoi, jo vetëm për tre golëshin, por edhe për lojën mjaft të mirë që demonstroi gjatë të gjithë ndeshjes. Tre golave të Nikajt i shtohet edhe ai i kapitenit Arsen Elbasani, i cili për nga radha ishte i dyti për kuqeblutë, shënuar në minutën e 18-të. Pjesë e kësaj ndeshje ishin edhe tre kartonë të kuq të dhënë nga arbitri, i pari në të të 75-tën për Muliun e Vllaznisë, dhe më pas dy të tjerë ndaj futbollistëve të Shënkollit, Daija në të 80-tën dhe Pica në të 86-tën.

Dhe në fund edhe diçka edhe për trajnerët, ku siç e theksoi Veriu Sport një ditë më parë, në këtë gjysmëfinale nuk kishte vetëm derbi verior, por edhe një përpallje trajnerësh shkodranë, Luan Zmijani në krye të Vllaznisë dhe Haris Lika në krye të Shënkollit, ku në fund suksesi shkoi për trajnerin e Vllaznisë, Luan Zmijani, skuadra e të cilit fitoi thellësisht 4 me 0 duke u kualifikuar për në finalen e Kupës së Shqipërisë për moshat U-19.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img