Sunday, November 24, 2024

Shkëlqen Shqipëria, mund Moldavinë 2-0 me supergolat e Asanit dhe Bajramit

Lexo

Shqipëri-Moldavi  2-0(Shënues: Asani 51’, Bajrami 76’)

Shqipëria: Berisha, Ismajli, Mitaj, Hysaj, Gjimshiti, Bare, Ramadani, Bajrami, Asani, Uzuni, Cikalleshi. Trajner: Silvinjo

Moldavia: Railean, Posmaç, Mudraç, Kraçiun, Reabçiuk, Baboglo, Revenço, Rata, Motpa, Damaskan, Nikolaesku. Trajner: Kleshenko

 Në një “Air Albania” të mbushur plot e përplot me një tifozëri të zjarrtë që e mbështeti skuadrën gjatë të gjithë ndeshjes, kombëtarja e Shqipërisë shkëlqeu në sfidën mbrëmjen e sotme kundër kombëtares së Moldavisë duke qënë fitorja e parë për kombëtaren tonë të eleminatoreve për në Kampionatin Evropian Euro 2024, grupi E.

Kuqezinjtë e nisën më mirë takimin teksa në minutën e 5-të Bajrami nga goditja e këndit krosoi në zonë, Ismajli godeti me kokë, por priti portieri moldav. Në minutën e 8-të Bajrami dribloi bukur kundërshtarët në hyrje të zonës dhe fitoi goditje dënimi, të cilën e gjuajti po vetë, por topi u përplas në mur.

Loja e kombëtares tonë vazhdon të jetë me ritëm sulmues dhe me kalimin e minutave Shqipëria bëhet më kërkuese, fiton 3 goditje këndi, por pa rezultat. Në minutën e 18-të moldavët patën një rast, por Nicolaesu gaboi në goditjen me kokë, duke e çuar topin pak mbi traun e portës së mbrojtur nga Berisha, ndërkohë që në harkun kohor të 2-3 dy minutave më pas, vijnë gjuajtjet nga jashtë zone drejt portës moldave nga Ramadani dhe Çikalleshi, ku ky i dyti  goditi traversën e portës së mbrojtur nga portieri moldav, Railean.

Pas pjesës së parë të mbyllur me rrjeta të paprekura, 0-0, pjesa e dytë nis me gol. Në një aksion këmbëngulës i kuqezinjëve tanë në krahun e djathtë të sulmit me protagonist kapitenin Elseid Hysaj në minutën e 51-të, është ish futbollisti i Partizanit, Jasir Asani që nga një pozicion diagonal, gjuan mjeshtrisht me të majtën e tij, topi i të cilit në formë harku përfundon në trekëndëshin e sipërm të portës moldave. Shqipëria në avantazh me rezultatin, 1 me 0.

Edhe pse në avantazh 1-0, Shqipëria vazhdon të luajnë në sulm duke kërkuar golin e dytë të sigurisë. Në minutën e 62-të Hysaj dha një kros të artë për Uzunin, por ky i fundit goditi me kokë  jashtë megjithëse fare pranë portës. Ndërsa, në të 64-tën Çikalleshi tentoi nga e majta me një gjuajtje të fortë, por topi doli disa metra jashtë porte.

Nuk vonon të tundet edhe rrjeta e dytë për ngjyrat kuqezi. Është minuta e 76-të, kur Shqipëria shënon golin e dytë me anë të Nedin Bajramit pas një goditje ballore nga jashtë zonës së portës mike. Shqipëri-Moldavi, 2-0

Pjesa e mbetur e minutave të lojës nuk sjell ndonjë gjë të re, me Shqipërinë e administron avantazhin duke siguruar 3 pikët e para në këtë nisje të eleminatoreve, por mjaft të rëndësishme për rrugëtimin drejt kampionatit europian “Gjermani 2024”.

Aktualisht, Shqipëria ndodhet e 3-ta në grup në kuotën e 3 pikëve pas 2 ndeshjeve, ndërsa Moldavia renditet e 4-ta me 2 pikë pas 3 ndeshjesh. Në ndeshjen tjetër të grupit E, Republika Çeke fitoi 0-3 në transfertë ndaj Ishujve Faroe, duke u renditur e para me 7 pikë, pas 3 ndeshjesh.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img