Festa e Liqenit të Shkodrës, një aktivitet me qëllim promovimin e turizmit, është organizuar për dy ditë me radhë në pikën turistike të Shirokës. Organizatorët e aktivitetit, Bashkia Shkodër dhe Shoqata “Well Point”, ka pasur një program të larmishëm me aktivitete artistike dhe sportive, shoqëruar edhe me hapjen e panairit artizanal dhe gastronokik, si dhe ekspozitën e jetës së egër në liqenin e Shkodrës.
Aktivitetin e përshëndeti Kryebashkiaku i Shkodrës në mbyllje të detyrës, Bardh Spahia i cili, ndër të tjera u shpreh se synimi i festimit të kësaj dite është promovimi i vlerave natyrore, ekonomike dhe turistike të liqenit si dhe nevoja për mbrojtjen e këtyre vlerave. Me propozim të zyrës së sporteve pranë Bashkisë Shkodër të drejtuar nga Alban Hasani, kryebashkiaku Bardh Spahia, nderoi me Çertifikatë “Mirënjohje” dy figurat e njohura të sportit të notit, Enver Muriqi dhe Ridvan Gjeçaj(pas vdekjes).
Festa e liqenit nuk mund të kishte kuptim pa garat e sporteve të ujit, ku në bashkëpumim me Akademinë e Notit Vllaznia të drejtuar nga kryetrajneri Kol Shiroka si dhe Federatën Shqiptare të Notit janë organizuar garat e notit, vaterpolit si dhe të kanotazhit.
Ndonëse, kushtet e motit nuk ishin të favorshme, konkurimi, i cili ishte konceptuar në kuadrin e dy trofeve kushtuar figurave të njohura të notit shkodran dhe atij shqiptar, Enver Muriqi dhe Ridvan Gjeçaj, kishte një rivalitet të fortë mes garuesve nga Shkodra, Tirana dhe Kosova.
Me interes u prit edhe grupi i gjimnastëve të Akademisë Vllaznia, i cili i drejtuar nga trajnerët Izmir Kashi dhe Shpresa Sala, interpretoi ushtrime të një niveli të lartë.
Krahas komunitetit shkodran si dhe të ardhur nga qytetet e tjera të Shqipërisë, përfshirë edhe grupe turistike të huaja që kishin mbërritur për të vizituar pikën turistike të Shirokës, të pranishmëm ishin edhe pjesëtarë të dy familjeve sportive, Muriqi dhe Gjeçaj, që i kushtohej aktiviteti sportiv.
Në një prononcim për Veriu Sport, drejtuesja e Shoqatës “Well Point” Aurora Piroviq që ishte bashkëorganizuese me bashkinë Shkodër, shprehet e kënaqur për zhvillimin e aktivitetit. Sipas ssaj, përmes aktiviteteve të organizuara përgjatë dy ditëve, u promovuan bukuritë dhe resurset e zonës, evidentimi i vlerave artizanale dhe gastronomike, etj.
(Video) Intervista me Aurora Piroviq, drejtuese e Shoqatws “Well Point”, organizatore e aktivitetit, si dhe pamje nga aktivitetet e organizuara në Shirokë në kuadrin e Festës së Liqenit të Shkodrës, 16-17 qershor 2023.
Gaspër MARKU