Ardit Krymi akoma nuk e ka vendosur se ku do të luajë në sezonin e ri futbollistik 2023-2024. I larguar nga Vllaznia, forma e të cilit mbërriti kulmet duke u cilësuar si një ndër mesfushorët shkatërrues më të mirë në Shqipëri, sezonin e kaluar u bë pjesë e kampionatit bjellorus ku u shpall kampion në përbërje të formacionitShaktar Soligorsk.
Por, një dënim që skuadra e tij mori nga Uefa për trukime të ndeshjeve penalizoi Shaktarin të luajë në Europë. Është kjo arsyeja që në adresë të shkodranit Krymi janë adresuar disa oferta për ta bërë të tyrin.
Në garë për të marrë Krymin është edhe Vllaznia, ku presidenti Alban Xhaferi i afruar një kontratë të pëlqyeshme. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë Krymi, kur bën të ditur se së bashku me Vllazninë janë tre skuadra të kategorisë Superiore që interesohen për të. Megjithatë, Arditi vazhdon të përsërisë të njëjtën deklaratë, se nëse kthehet në Shqipëri, Vllaznia është skuadra e parë në listë.
“Për momentin jam në pritje. Kam pasur dy oferta konkrete në kampionatin shqiptar, bashkë me Vllazninë bëhen tri. I kam falënderuar për ofertat dhe vlerësimin e madh, por përgjigjja ime ka qenë se nëse kthehem në Shqipëri, vij vetëm te Vllaznia. Me Partizanin kam pasur thjesht bisedime, asgjë konkrete. Dëshira ime ka qenë të kthehem te Vllaznia nëse vij në Shqipëri, por jam në pritje, edhe mund të ndodhë, Nuk është çështje parash me Vllazninë, por është kontrata këtu, që vendos mbi situatën time.”, është shprehur Krymi për Panorama Sport për këtë çështje, ndërkohë që ka komentuar edhe kundërshtarin e Partizanit në Ligën e Kampionave, skuadrën bjelloruse Bate Borisov.
“Mendoj se të dyja aty-aty janë. BATE vitin e shkuar është renditur e treta. Në vend të parë kemi dalë ne. Është dënuar edhe vendi i dytë dhe për shkak të dënimit ka përfituar BATE dhe janë kualifikuar në Champions League. Duke parë ecurinë që kur ka nisur kampionati në mars e deri më tani, mund të them se është një përballje mes të barabartësh. BATE nuk ka më shkëlqimin e dikurshëm, sepse në të shkuarën ka shkuar në grupe dhe ka bërë historinë në Europë. Ka pasur lojtarë shumë të mirë. Sulmin e ka më të mirë Partizani dhe mendoj se pika e dobët e BATE-s është mbrojtja. Para dy javësh humbi edhe finalen e Kupës, kështu që mendoj se ka një shans të mirë Partizani për t’ia dalë.”, përfundoi Krymi.