Ndërkohë që skuadra kuqeblu vazhdon përgatitjet në kampingun boshnjak të Medjugorje për dy sfidat e turit të parë të Uefa Europa Conferencë ku do të përballet me skuadrën Linfield të Irlandës së Veriut, drejtuesit e klubit Vllaznia kanë bërë gati biletat e përballjes së 20 korrikut që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.
Në fakt, sa i takon biletave, një interesim maksimal ka nga komuniteti shqiptar dhe sidomos ai shkodran që jeton në Britaninë e Madhe edhe për ndeshjen e parë, e cila do të luhet me datë 13 korrik në “National Football Stadium” , në Belfast, Irlandë e Veriut, ora 19:45, por sfida e kthimit e 20 korrikut në Shkodër ka nisur të përjetohet që tani në radhët e tifozërisë shkodrane.
Për t’i ardhur në ndihmë të interesuarve, KF Vllaznia ka vendosur që të hedhë në treg që tani biletat e kësaj ndeshje. Konkretisht, sipas njoftimit zyrtar të klubit kuqeblu, ato do të dalin në treg që në mëngjesin e së shtunës së 1 korrikut 2023.
Edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje shumë të rëndësishme ndërkombëtare ku do të përcaktohet fati i skuadrës që kalon në turin e dytë të Conferëncë League, drejtuesit kanë vendosur që çmimet e biletave të jenë të arsyeshme.
Kështu, për të ndjekur ndeshjen Vllaznia – Linfield të datës 20 korrik, tifozët do të kenë mundësitë të zgjedhin një biletë me çmime nga 400, 700, 2000 dhe më e larta 3000 lekë në tribunën VIP.
“Sfida e madhe po afron..
Nga nesër nis shitja e biletave për ndeshjen europiane Vllaznia – Linfield.
Nuk duhet të mungoni!
Forca Vllaznia
Në Europë për të tretin vit rradhazi.
Një jetë, dy ngjyra, një skuadër.
#KFVllaznia”, shkruhet në njoftimin zyrtar të KF Vllaznia.