Çështja e transferimit të Ardit Krymit nga Bjellorusia ku ai luan për klubin Shahtjor Soligorskit për të kaluar tek Vllaznia e Shkodrës tashmë mund të konsiderohet krejtësisht e mbyllur. Një gjë të tillë e konfirmojnë në KF Vllaznia, ndërkohë që lëvizjen në fjalë e pranon edhe vetë Krymi.
“Kam rënë dakord me të dy klubet. Sot (dje), kam edhe një ndeshje me ekipin këtu (në Bjellorusi) dhe më pas do të bashkohem me Vllazninë. Kam rënë dakord që të marr lejen e kalimit nga klubi, ku ende jam dhe po ashtu me Vllazninë, pasi kam gjetur marrëveshje. Ishte një zgjedhje zemre për t’u bashkuar sërish me Vllazninë”, u shpreh mesfushori shkodran për “Panorama Sport”. Te mesfushori potent, mbështetësit shkodranë shohin një lider që mund ta udhëheqë skuadrën. Pavarësisht ofertave të shumta që ka pasur, ai vendosi të rikthehet te skuadra e tij e zemrës. Duket se Vllaznia po merr formën e duhur për sezonin e ri, pavarësisht se të gjithë po e shohin me kureshtje, por edhe me dyshim këtë skuadër. Megjithatë, nga sa mësohet, është se drejtuesit duket se ende po kërkojnë edhe një element tjetër për këtë repart.
Admir Uruçi