Monday, November 25, 2024

FSHF-4 faza kampiona dhe një “Final 4” në “Air Albania” për të shpallur ekipin kampion. Komiteti Ekzekutiv miraton ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore 2023-2024”

Lexo

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar vendimin për ndryshimin e formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke nisur që nga ky sezon 2023-2024.

Vendimit për ndryshimin e formatit i paraprinë disa raunde diskutimesh dhe konsultash mes përfaqësuesve të FSHF-së, drejtuesve dhe presidentëve të klubeve të kampionatit elitar gjatë ditëve të kaluara, ku u propozuan disa variante të ndryshme dhe në fund u ra dakord për formatin që u kalua për shqyrtim në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së.

Ndryshimi i skemës së kampionatit ka si synim për të afruar më shumë spektatorë në shkallët e stadiumeve, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar apo edhe për t’u dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv në fundin e kampionatit. Gjithashtu, synohet që ky ndryshim të sjellë edhe më shumë të ardhura për klubet shqiptare në përfundim të sezonit.

Sipas skemës së re, kampionati “Abissnet Superiore 2023-2024” do të ketë katër faza dhe në përfundim të javës së 36-të ekipet e renditura në 4 vendet e para do të përballen në një fazë play-off. Kjo fazë do të quhet “Final 4” dhe ekipi fitues do të shpallet skuadra që grumbullon më shumë pikë në këto tre ndeshje. Të katër ekipet e nisin “Final 4” me 0 pikё, ndërsa ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës sipas skemës së mëposhtme:

Java 37             Java 38                Java 39

1-4                         3-1                         1-2

2-3                         4-2                         3-4

 

Rregullat e klasifikimit – Nëse dy ose më shumë ekipe kanë pikë të barabarta në fund të “Final 4”, atëherë renditja e tyre do të bazohet në klasifikimin përfundimtar të 36 javëve të kampionatit “Abissnet Superiore”. Ekipi fitues i play-off “Final 4” do të shpallet kampion i “Abissnet Superiore” dhe do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League, ndërsa 2 ekipet e tjera të renditura më mirë do të marrin pjesë në UEFA Conference League.

Në rastet kur ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë është i renditur në 3 vendet e para të play-off “Final 4”, e drejta për të marrë pjesë në UEFA Conference League do t’i takojë vendit të 4-t të renditur në play-off “Final 4”.

Sa i përket fundit të renditjes nuk ka ndryshime, teksa vendi i 9-të dhe i 10-të bien automatikisht në Kategorinë e Parë, kurse skuadra e vendit të 8-të do të zhvillojë një finale me fituesin e play-off të Kategorisë së Parë.

Komiteti Ekzekutiv ka miratuar ndryshimin e formatit të Abissnet Superiore përmes një vendimi që hyn në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet që nga ky sezon që pritet të nisë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img