Tërmet i ri në shtëpinë e PSG-së. Kylian Mbappé nuk bën pjesë në skuadrën që klubi francez ka publikuar për turin parasezonal në Japoni.
Klubi kampion i Francës, pas suksesit 2-0 në miqësoren ndaj Le Havre ku sulmuesi shënoi duke hyrë në pjesën e dytë, ka shpallur listën me 29 lojtarë të thirrur dhe ylli francez nuk është në listë. PSG nuk e shpjegon mungesën e tij, por L’Equipe pretendon se zgjedhja është për shkak të situatës kontraktuale të kampionit të botës 2018, kontrata e të cilit është pranë skadimit dhe që ka vendosur të mos e rinovojë, falë një marrëveshjeje të supozuar me Real Madridin për sezonin e ardhshëm.
Në fund të ndeshjes miqësore kundër Le Havre, sulmuesi francez, trajneri Luis Enrique dhe konsulenti sportiv Luis Campos zhvilluan një bisedë të gjatë. Në ato minuta Mbappè u informua për vendimin për të mos e thirrur atë për turneun japonez të PSG-së.