Ballkani- Larne 3-0(Shënues: 26′ Rrahmani (P), 32′ Kryeziu, 67′ Gripshi)
Pasi është eliminuar nga veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës, Liga e Kampioneve, kampionia e Kosovës, Ballkani, vijon aventurën e saj kontinentale në Ligën e Konferencës, aty ku shorti i ka vënë përballë një skuadër irlandezoveriore. Dhe të martën është luajtur takimi i parë i këtij çifti, aty ku skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja ka pritur në Stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës ekipin e Larnes. Pjesa e parë ka folur për ekipin vendas, që në minutën e 26-të do të fitojë një 11-metërsh dhe Albion Rrahmani do të ruajë gjakftohtësinë nga pika e bardhë, duke e përcjellë topin në rrjetë dhe duke e kaluar Ballkanin në epërsi.
Vetëm 6 minuta më pas, është një aksion i bukur i kampiones së Kosovës, që i ka dhënë mundësi Kryeziut të dalë i vetëm para portierit mik e ta mposhtë atë, duke thelluar epërsinë e vendasve. Me epërsinë e dyfishtë të skuadrës së Dajës do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë Ballkanin të vazhdojë të jetë këmbëngulës dhe, në minutën e 67-të, Gripshi do të gjejë edhe golin e 3-të.
Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, 23 minuta e mbetura të kohës së rregullt dhe ato 7 shtesë nuk kanë sjellë gola të tjetër dhe Ballkani e mund Larnen 3-0, duke marrë kështu me vete për ndeshjen e kthimit pas një jave në Irlandë një fitore që i jep sadopak qetësi.