I ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 34 vjeçare si rezultat i një aksidenti motorik, futbollisti i mirënjohur i ekipit Vllaznia Futsal, Ermir Lera është përcjell me respekt nga komuniteti shkodran për në banesen e fundit. Në ceremoninë e organizuar pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës, krahas qytetarëve të shumtë shkodranë dhe të afërme të familjes Lera, kanë spikatur edhe njerëzit e sportit.
Ka qënë ekipi i Vllaznisë Futsal me në krye dy drejtuesit kryesorë, presidentin Fisnik Barbullushi dhe drejtorin sportiv Arben Xhaferi, së bashku me kolegët e fushës së lojës të Ermirit, si dhe një përfaqësi e shoqatës së tifozëve të Vllaznisë mes të cilëve edhe dy tifozët e vjetër, Astrit Rrahmani dhe Sander Dema, të cilët me kurora dhe tufa me lule, kanë përcjellë ngushëllimet e rastit për familjen Lera.
Në prononcimet e tyre për median e pranishme, duke e konsideruar një humbje të madhe për familjen në radhë të parë, por edhe për komunitetin e sportit, dhe konkretisht ekipin Vllaznia në futsal, ato vlerësonin maksimalisht figurën shembullore të të ndjerit Ermir Lera, jo vetem në fushën e sportit, por edhe si mësues i edukimit fizik ku shërbente pranë shkollës 9 vjeçare, “Ndre Mjeda”, ndërkohë që ishte shumë aktiv edhe në kontributin e tij pranë shoqatës Shpresë Për Jeten në drejtim të njerëzve në nevojë.
(Video) Pamje nga ceremonia e varrimit të sportistit të Vllaznia Futsal, 34 vjeçarit, Ermir Lera.
Gaspër MARKU