Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Oresti Kasmollari, talenti 18 vjeçar i Dinamos dhe i Kombëtares kuqezi, që ëndërron të luajë në Europë!

Lexo

Nuk ka rëndësi kur dhe ku ia nis. Oresti Kasmollari është një prej lojtarëve të talentuar që ka kaluar nëpër kombëtaret e moshave. Mesfushori, tashmë 18 vjeç, është pjesë e Shqipërisë U19 dhe Dinamos së rikthyer në “Abissnet Superiore”. Në rubrikën “Talenti shqiptar” Oresti tregon hapat e parë në futboll, si u ndje kur veshi fanellën kuqezi të Kombëtares, përjetimin e golit ndaj Skocicë U17, synimet që ka dhe lojtarin që e motivon atë.

Oresti, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Ku e keni nisur dhe kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Futbollin e kam nisur në moshën 6-vjeçare. Ëndrra ime ka qenë gjithmonë të bëhem futbollist profesionist. Hapat e para i hodha në qytetin e Pogradecit. Familja ime është ajo që më ka shtyrë drejt këtij sporti.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Personi që më këshillon dhe që më qëndron afër më shumë është vëllai im i madh. Gjithashtu edhe babai dhe njerëzit e mi të afërt.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U15? E mbani mend ndeshjen e parë?

– Kur mora ftesën e parë nga Kombtarja u gëzova shumë, pasi është nder të përfaqesosh kombëtaren e vendit tënd. Ndeshja ime e parë me Shqipërinë ka qenë kundër përfaqësueses së Kosovës.

Si ka qenë për ju t’i ngjisni shkallët një e nga një, duke kaluar nga Kombëtarja U15 deri tek ajo U19 tani?

– Për mua ka qenë diçka shumë e bukur, por edhe shumë e vështirë për të shkuar nga Kombëtarja U15 deri te Kombëtarja U19. Duhet shumë punë të përfaqësosh kombin shqiptar, por akoma nuk e kam arritur ëndrrën time. Dua të përfaqësoj Kombëtaren A.

Keni provuar edhe të shënoni me fanellën kuqezi, ndaj Skocisë U-17. Çfarë ndjenje përjetuat?

– U ndjeva shumë krenar kur shënova kundër Skocisë. Emocionet më të mëdha i kam përjetuar te kjo ndeshje, pasi është privilegj të shënosh për Kombëtaren shqiptare dhe në kompeticionin europian.

Cili është pozicioni ku ju pëlqen të luani më shumë?

– Pozicioni që më pëlqen më shumë të luaj është mesfushor qendre. Që i vogël e kam nisur në atë pozicion.

Kush është lojtari shqiptar që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull?

– Lojtari që më motivon më së shumti është Granit Xhaka, pasi kemi afërsisht karakterin e njëjtë dhe mënyrën se si luajmë në fushë.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll?

– Synimi im më i madh është që një ditë të luaj në një nga ligat më të forta të Europës dhe për këtë do punoj fort që t’ia arrij.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img