19 vjeçarët e Akademisë së Futbollit Vllaznia këtë sezon të ri futbollistik janë në drejtimin e trajnerit Vioresin Sinani. Goleadori i njohur shkodran në vite, duke pasur përkrah edhe kolegun e tij Malvin Macerovi, e ka marrë me shumë dëshirë punën e ekipin U-19. Një pozicion që e ka pasur edhe më herët, ndërkohë që ka shërbyer edhe në cilësinë e zëvendëstrajnerit të ekipit të parë, por edhe si drejtor sportiv i KF Vllaznia.
Në këtë rikthim të dytë në krye të 19 vjeçarëve përkushtimi i tij në proçesin stërvitor është në masën maksimale, çka duket se do t’i sjellë suksesin e duhur në kampionat. Përpos një titulli kampion, që e përfshin Vllazninë U-19 në kompeticionin e Ligës së kampioneve për të rinj, Sinani është i kënaqur me djemtë e talentuar që ka në dispozicion.
Sipas tij, 2-3 prej tyre është e sigurtë që kanë parametrat e duhur për të kaluar në ekipin e parë të Vllaznisë të drejtuar nga tekniku Memelli.
Në prag të nisjes së kampionatit të Superligës së moshave U19 që starton javën e ardhshme, skuadra e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani zhvilloi dy teste kontrolli duke luajtur miqësoret me ekipin Vllaznia U-21.
Miqësore këto që kanë folur tërësisht në favorin e Vllaznisë U-19. Fitore 5 me 0 në ndeshjen e parë me autorë të golave, Klajti Halili(2), Kevin Dodaj(2) dhe një Ersi Zaganjori. Edhe në miqësoren e sotme përsëri fitore, por këtë radhë me shifrat 5-2, ku autor të golave ishin: Rroku, Zaganjori, Dodaj, Shimaj, Halili për ekipin U-19 dhe Moleci e Duli për ekipin U-21.
Lekaj, Rroku, Hajdari, Selmani, Sylja, Shimaj, Çelepia, Zaganjori, Dodaj, Kubazi, Halili, ishin lojtarët titullarë që luajtën në këtë ndeshje për ekipin Vllaznia U-19 të drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani dhe kolegu i tij Malvin Macerovi
Një fitore kjo për U19-tën që merr vlera edhe për faktin në formacionin e ekipit U21, ishin tetë futbollistë që stërviten me ekipin e parë, si: Duli, Spahija, Paloka, Delaj, Beci, Pusi, Brahimi, Sala, dhe do të jenë pjesë në kampionat për 21 vjeçarët.
Prova e parë zyrtare për Vllazninë do të jetë java e ardhshme, ku 19 vjeçarët kuqeblu do të nisin kampionatin me një ndeshje të vështirë në transfertë, siç është Bylisi i Ballshit, i shquar prej vitesh në punën me elementin e ri.
(Intervista e plotë me trajnerin e Vllaznisë U19, Vioresin Sinani, pas miqësores më Vllazninë U21.