Humbja në Shkodër me Vllazninë mbrëmjen e së shtunës i ka kushtuar rëndë italianit të pankinës durrsake, Diego Longo duke bërë që marrëdheniet e tij me klubin e Teutës të mbylleshin këtu.
Ndonëse gjatë bashkëbisedimit të mbrëmshëm me gazetarët shkodranë gjatë konferencës për shtyp dhënë menjëherë pas ndeshjes, Vllaznia-Teuta, Longos i është bërë e ditur qarkullimi mediatik i këtij lami, ai nuk ka dashur ta besojë.
Ndërkohë, pasditen e sotme, KF Teuta ka dalë me deklaratën zyrtare:
“Klubi i futbollit Teuta njofton nderprerjen konsensuale të bashkepunimit me trainerin Diego Longo! Në një dakordesim me presidentin Edmond Hasanbelli, iu dha fund edhe periudhës si trajner i ekipit Teuta. Klubi i futbollit Teuta falenderon mister Diego Longon për impenjimin dhe angazhimin e tij dhe i uron suksese në të ardhmen!”
Zëvendësuesi i tij është shkodrani Edi Martini, trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit durrsak. Realisht, KF Teuta, akoma nuk e ka bërë të ditur një vendim të tillë, por burime të besueshme pranë presidentit të Teutës, Edmond Hasanbelliu informojë që pasuesi i Longos është Edi Martini. Një rikthim që për nga radha është i pesti për ish goleadorin kuqeblu, i cili pritet që nesër të drejtojë seancën e parë stërvitore me durrsakët në prag të ballaafqimit me verilindorët e Kukësit.