Pasditen e djeshme e deri në orët e vona të natës, si dhe gjatë gjithë ditës së sotme, kam patur dhjetra telefonata nga tifozë të shumtë, madje dhe emigrantë, teksa donin të dinin se çfarë ndodhi me ekipin e Burrelit, në ndeshjen përballë Lushnjës në Liri Ballabani, të vlefshme për javën e katërt të kampionatit të kategorisë së parë, të cilën e humbi me rezultatin 0-2, duke bërë që ekipi të përfundojë në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit, me vetëm një pikë të arritur në Burrel pas atij barazimi 0-0 ndaj Kastriotit, dhe të një goli të shënuar në Vorë, nga mbrojtësi Patrik Fetaj, teksa Burreli humbi 3-1.
Në katër javët e para të këtij kampionati, Burreli ndodhet keq, si kurrë ndonjëherë, apo si i thonë “keq e më keq”, pasi ka vetëm një barazim në Burrel me Kastriotin dhe tri humbje (me Bylisin 1-0 në Ballsh, Vorën 3-1 në Vorë, me Lushnjën 0-2 në Burrel), ku ka shënuar vetëm një gol dhe pësuar 6 të tillë. Shifra që tregojnë se diçka nuk shkon, dhe se duhet rikuperim i menjëhershëm në tejkalimin e këtij “shoku” psikologjik.
Është edicioni i katërt, që transmetoj për Radio-Tiranën nga stadiumi “Liri Ballabani”, në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën” dhe nuk më ka ka rastisur që ta shikoj më keq skudrën e Burrelit, sesa në përballjen me Lushnjën. Një çorganizim i organizuar do ti shkonte përshtat lojës së ekipit të Burrelit. Një lojë konfuze dhe euforike, raste të humbura, mos koordinim të reparteve, e mbi të gjitha pa grindë e sedër të lojtarëve, që janë dhe aktorët kryesorë dhe të vetën të kësaj paraqitje tejet të dobët, që ka zhgënjyer jo vetëm presidencën dhe stafin drejtues por gjithë komunitetin futbolldashës matjan, dhe tifozerinë e zjarrtë matjane, ndoshta më e veçanta në rang kombëtar, që jeton me futbollin.
Duhet theksuar fakti se që nga Tetori i largët i vitit 2021, saktësisht më 23.10.2021, kur Burreli humbiste 0-1, me Bylisin me gol të Oliverës, e deri më 23.09.2023, skuadra e Burrelit nuk ka njohur humbje, e cila erdhi nga Lushnja që vinte me 0 pikë në këtë takim, dhe arriti të thyeje qëndresën e kështjellës matjane, pas afro dy vitesh.
Futbolli ka të papritura prandaj është i bukur. Mund të fitosh edhe pa e merituar ashtu siç mund të humbasësh, teksa zhvillon lojë të mirë, por humbja e djeshme e Burrelit në fushën e vet, dhemb madje shumë. Pse themi kështu? Së pari dhemb se mundet në fushën e vet, së dyti mundet nga një ekip që vinte me 0 pikë, dhe së treti dhe ajo çfarë është më e rëndësishme ishte loja pa bosht dhe filozofi, që zhvilloi ekipi.
Çfarë ka ndodhur nuk kthehet më, se fundi i tabelës së klasifikimit ku ndodhet Burreli aktualisht nuk është fundi i botës. Problemi shtrohet çfarë duhet të bëjmë për ta tejkaluar kltë situatë?! Gjë e cila personalisht mendoj se do të kapërcehet shpejt me një analizë të ftohtë dhe dobiprurëse.
Kategorikisht jam kundra penaliteteve, pasi në këtë moment janë shumë të dëmshme. Por ama duhet që seicili aktor dhe faktor të jetë i drejtpërdrejtë dhe të reflektojë pozitivisht në shërbim të së ardhmes. Çelësi i zgjidhjes janë vetë lojtarët, pasi janë ata që na kanë kënaqur me lojrat e bukura dhe na kanë bërë krenar me paraqitjen e tyre. Seicili prej lojtarëve, duhet ta ndiej përgjegjësinë së pari individuale për situatën në të cilën ndodhet Burreli, dhe më pas edhe kolektive, mbi të cilën të reflektojnë individualisht dhe kolektivisht.
Nga ana e tij stafi teknik me kompetencë dhe profesionalizëm duhet të bëj një analizë të thellë, dhe ti ballafaqojë ato në kolektiv për çdo rast dhe individ, dhe të gjejë mekanizmat e harmonizimit të gjërave në funksion të tejkalimit të situatës. Dhe të shpresojmë tek kthesa e Burrelit, për të qenë ajo skuadër, që është dhe ka mundësi të jetë. Kjo kthesë pse jo të fillojë që nga ndeshja e ardhshme në Fier përballë Apolonisë e për të vijuar më tej gjatë kampionatit, me synim paraqitjen sa më dinjitize, dhe mbi të gjitha largimin nga ujrat e tyrbullta të rënjes një kategori më poshtë. Duke synuar marrjen maksimale të pikëve në Burrel, dhe çfarë mund të marrim në transfertë.
Unë përpiqem të jem realist dhe ti evidentoj gjërat ashtu siç janë dhe u përkas atyre njerëzve që besojnë, ndoshta më shumë se duhet, besim i cili kurrë nuk më ka zhgënjyer. Pasi atë e bazoj në analizë të hollësishme dhe njohjen e faktorëve. Në rastin konkret jam besimplotë se djemtë e ekipit të Burrelit, do të bëjnë një reflektim të plotë dhe kthesë të menjëhershme, pasi më shumë se tek çdo gjë tjetër besoj tek forca e karakterit të tyre.
Shpresë dhe besim. Para Burreli! Fitore dhe zjarr Burreli!
Ju mbështes dhe inkurajoj djema!
Mbrëmbje 24.09.2023
Martin DEDAJ