Sunday, December 22, 2024

Zgjedhja si Zv.President i UEFA-s, mesazhe urimi nga e gjithë bota për Presidentin Duka

Lexo

Urime të shumta kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës në adresë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka pas zgjedhjes së tij në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s disa ditë më parë në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Një arritje historike për Presidentin Duka e për futbollin shqiptar gjithashtu, që është cilësuar nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar si një vlerësim për kontributin e tij në zhvillimin e futbollit europian.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka përcjellë përmes një mesazhi “urimet më të mira vëllazërore në emër të gjithë komunitetit të futbollit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit Duka në postin e lartë drejtues në UEFA”.

“Gjithashtu, vlerësimi dhe besimi që ua dha Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe paraprakisht komuniteti i gjerë i federatave anëtare të familjes së futbollit evropian me rastin e rizgjedhjes në KE të UEFA-s, si më i votuari, është një e arritur e jashtëzakonshme për Ju, Shqipërinë por edhe futbollin mbarëkombëtar. Jam i sigurt se vizioni juaj dhe përkushtimi për futbollin do të ndihmojë progresin e mëtejmë të UEFA-s dhe rritjen e futbollit evropian. Njëkohësisht suksesi juaj do të jetë shtysë për zhvillim edhe më të hovshëm të futbollit në rajonin tonë”, – shkruan Presidenti Ademi.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini thekson në letrën e tij të urimit se “në këtë rol ju do të vazhdoni të punoni fort për prosperitetin e futbollit europian për zhvillimin e mëtejshëm të lojës në rajonin tonë dhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit”.

Edhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, z. Péter Szijjártó, i ka dërguar një telegram zyrtar Presidentit të FSHF-së ku e ka uruar për zgjedhjen e tij në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s.

“Ky rezultat i jashtëzakonshëm është një sukses domethënës në diplomacinë sportive për Shqipërinë, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit si edhe një vlerësim për punën tuaj të shkëlqyer. Më lejoni të shpreh urimet e mia të përzemërta. Nën lidershipin tuaj, futbolli shqiptar është zhvilluar shumë në dy dekadat e fundit dhe këtë vit ju keni dëshmuar eksperiencën dhe pasionin tuaj për futbolli si një anëtar i rizgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s”, – shkruan Ministri hungarez Szijjártó.

Ambasadori i Arabisë Saudite në Shqipëri, z. Faisal Ghazi Hifzi shpreh urimet e tij për zgjedhjen e Presidentit Duka në postin e Zv.Presidentit të UEFA-s, duke e cilësuar “një ngjarje historike për Shqipërinë, futbollin shqiptar dhe shpresoj që zgjedhja juaj në këtë pozicion t’i shërbejë Shqipërisë dhe futbollit në të ardhmen”.

Një tjetër mesazh urimi vjen nga Ambasadori i Republikës Çeke në Shqipëri, z. Karel Urban, i cili teksa vlerëson zgjedhjen e Presidentit Duka në postin e lartë drejtues në qeverinë e futbollit europian, thekson se ky vendim është një arritje shumë e rëndësishme sportive, por edhe për vetë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Ndërkaq, edhe shumë federata të tjera europiane kanë përgëzuar numrin një të qeverisë së futbollit shqiptar për këtë arritje të madhe.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img