Klubi i Ballkanit ka reaguar në lidhje me sulmet e pretenduara ndaj trajnerit të tyre, Ilir Daja. Bëhet fjalë për sulmet gjatë ndeshjes së zhvilluar në “Fadil Vokrri” mes Prishtinës dhe skuadrës kampione të Kosovës. Në deklaratën e klubit thuhet se trajneri Daja ka qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme, verbale dhe fizike, nga persona që në stadium nuk ishin për të ndjekur ndeshjen, por për qëllime të tjera.
Siç pretendohet, vëllai i një zyrtari të klubit vendas ka hedhur një shishe në adresë të trajnerit të skuadrës kampione, për të vazhduar më pas me ofendime e kërcënime ndaj trajnerit dhe stafit teknik. Ballkani ka kërkuar nga organet kompetente që të merren me seriozitet me çështjen në fjalë.
Reagimi i klubit:
“Reagim!
Klubi i Ballkanit i ka marr me shqetësim skenat që ndodhën mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, në ndeshjen naj Prishtinës.
Trajneri ynë, Ilir Daja, ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme verbale por edhe fizike nga persona që në stadium nuk ishin për futboll, por me qëllime të tjera jo sportive.
Në përfundimin e pjesës së parë, vëllau i një zyrtari të klubit vendas, ka hedhur shishe në drejtim të trajnerit Daja. Duke mos u ndalur me kaq, e fatkeqësisht para syve të sigurimit, ai dhe disa të tjerë në vazhdimësi kanë qëndruar mbi bankinën ku ishte skuadra jonë, duke ofenduar e kërcënuar trajnerin dhe stafin tonë teknik.
Fc Ballkani është i indinjuar nga kjo ngjarje, andaj kërkon nga organet kompetente si brenda ashtu edhe jashtë Federatës, që ta trajtojnë me seriozitet këtë situatë sepse futbollin të cilin po mundohemi ta dërgojmë sa më shumë përpara, gjërat e tilla e kthejnë prapa.
Puna e madhe e Fc Ballkanit, përfshi trajnerin Daja dhe futbollistët tanë, i ka sjellur dobi krejt ekipeve të Superligës, në këtë rast edhe vetë Prishtinës, andaj është e pakuptueshme që të lejohen lëshime të tilla.”