Tuesday, November 26, 2024

Vllaznia lë pas fitoren me korçarët, nis përgatitjet për Kukësin. Java e dhjetë në tre ditë. Kukësi-Vllaznia, të premten, ora 14:00

Lexo

Një fitore shumë e rëndësishme është konsideruar ajo e regjistruar nga Vllaznia të shtunën  e kaluar teksa mundi në transfertë Skënderbeun me rezultatin e pastër 0 me 2 duke u afruar me vetëm një pikë larg zonës së katërshes finaliste.

Por, tashmë, kjo fitore është lënë pas dhe përqëndrimi është i tëri tek ndeshja e radhës, ku për javën e dhjetë të kategorisë Abissnet Superiore, Vllaznia luan  përsëri në transfertë. Këtë radhë, destinacioni do të jetë qyteti verilindor i Kukësit, ku kuqeblutë luajnë me skuadrën vendase me të njëjtin emër.

Bazuar në kalendarin e publikuar nga sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit,  ndeshja, Kukësi-Vllaznia është e para që hap siparin e javës së dhjetë duke qënë e planifikuar të luhet ditën e premtë në stadiumin “Kukës Arena” duke filluar nga ora 14:00. Po të premten, por në orën 17:00, në kalendar është ndeshja Erzeni-Laçi. Ndërkohë, tre duelet e tjera të javës së dhjetë Tirana-Dinamo, Teuta-Partizani dhe Skënderbeu-Egnatia do të luhen ditën e shtunë.

Sa i takon Vllaznisë, fitorja e javës së kaluar në transferten korçare ka ndryshuar tërësisht klimën në kampin kuqeblu duke sjellë një atmosferë më optimiste dhe me më tepër besim për të ecur në rrugën e rezultateve  pozitive.

Krahas kësaj,  një tjetër anë pozitive në këtë pragndeshje ka të bëjë me rikthimin e forcave të munguara të formacionit të parë. E sigurtë është rikthimi i dyshes, Ardit Krymi dhe Geralb Smajli, të cilët munguan në ndeshjen e kaluar për arsye të skualifikimit me kartonë.

Por, përpos kësaj, një rikthim shumë i vlefshëm pritet të jetë edhe ai i mbrojtësit të majtë Ersin Hakaj, ku sipas stafit mjekësor përmirësimi i gjendjes së dëmtimit është i dukshëm dhe me të gjitha gjasat, edhe Hakaj do të jetë në dispozicion të stafit teknik duke i dhënë qetësinë e duhur trajnerit Migen Memelli në ndërtimin  formacionit.

Ndeshja, Kukësi-Vllaznia, e vlefshme për javën e dhjetë të Abissnet Superiore është e fundit që Vllaznia luan jashtë për shkak të procesit të rimbjelljes së barit në tapetin e fushës së stadiumit “Loro Boriçi”, sepse duke nisur nga java e ardhshme kuqeblutë do të rikthehen të luajnë në fushën e tyre.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img