Migen Memelli në karrierën si sulmues ka qenë shumë “i drejtpërdrejtë” me portën. Pa shumë finte dhe pa shumë driblime… Preferonte gjithnjë goditjet e rrufeshme. Si trajner është bërë më “driblues”, mesazhet i jep, por me shumë kujdes. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-trajneri i Vllaznisë ka fjalë të ëmbla për të gjithë, por nuk e mohon se ka edhe disa pengje në Shkodër.
Memelli, pse u larguat nga Vllaznia?
Së pari, dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi. Që nga zëvendësi im Shtubina, Lekiqi, stafi i mjekëve dhe i masazhatorëve, si dhe të gjithë futbollistët pa përjashtim. Për mua ishte një eksperiencë e mirë, ku dhashë gjithçka nga vetja. Por, futbolli ky është, ndonjëherë nuk shkojnë gjërat sipas planit.
Dakord, po pse ju larguan pa u mbyllur tetori?
U zgjidh me konsensus. Ishte një vendim i drejtuesve dhe unë i mirëkuptoj. Sinqerisht. Kur nuk ka rezultate, natyrisht edhe presioni rritet mbi të gjithë. E mirëkuptoj Xhaferin dhe jam ndarë si mik me të. Më ka dhënë një mundësi të mrekullueshme për të drejtuar një klub si Vllaznia dhe i jam mirënjohës. U ndamë si miq, sepse jeta nuk mbaron vetëm me një bashkëpunim. E rëndësishme për mua është që të respektoj të tjerët dhe të më respektojnë. Jam ndier i respektuar nga Xhaferi gjatë gjithë kohës.
Po me skuadrën si ishin raportet?
Korrekte, profesionale dhe të drejtpërdrejta. I falënderoj ata djem, sepse në kushte jo edhe aq të mira, kanë bërë maksimumin dhe janë përpjekur të nderojnë fanellën.
Kur thoni në kushte “jo të mira”, për çfarë e keni fjalën?
Shikoni, unë e kam një peng në aventurën time te Vllaznia dhe e kam fjalën për dëmtimet.
Që do të thotë?
Që pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë me Kukësin, për fat të keq nuk e pata kurrë ekipin të plotë. Edhe lojtarët ndryshuan pozicion shpeshherë nga emergjenca e dëmtimeve dhe kjo nuk na ndihmoi të merrnim atë që donim.
Ky është pengu i vetëm që keni?
Po, ky është pengu i vetëm. Natyrisht, nuk patëm edhe shumë fat në disa raste, por kjo është pjesë e futbollit.
A është e vërtetë që keni pasur përplasje me lojtarë të rëndësishëm, mes të cilëve edhe Hakaj?
Shikoni, unë nuk i quaj përplasje këto, por diskutime. Në çdo punë ka diskutime dhe debate për të mirën e gjërave. Është normale. Edhe në punën tuaj si gazetarë keni diskutime dhe debate për çështje pune.
Diferenca është që ndonjëherë debatet tona dalin në media dhe marrin ngjyrime nga më të ndryshmet, ndërsa debatet e gazetarëve nuk dalin…(qesh). Megjithatë, duhet të kuptoni që për mua disiplina është e panegociueshme në një raport pune. Aty ku nuk ka disiplinë, nuk ka as rezultate. Kjo vlen në çdo profesion, jo vetëm në futboll.
Çfarë aventure ishte për ju Vllaznia?
Një aventurë që më përmirësoi akoma më shumë profesionalisht, por një nga ato angazhime të miat ku nuk kam asnjë pishman. Po, sepse kam punuar me përkushtim, me profesionalizëm dhe pa hile. Bëra gjithçka munda.
A mund të bënit diçka më mirë se kaq?
Ju thashë, bëra sa munda. Me shumë seriozitet. Natyrisht, e mira nuk ka fund, por mendoj se në varësi të rrethanave dhe kushteve, unë kam dhënë gjithçka nga vetja.
A u ndjetë i tradhtuar nga Vllaznia?
I tradhtuar?! Jo… Për çfarë duhet të ndihem i tradhtuar?
Që e gjeti zëvendësin tuaj ende pa u “divorcuar” mirë me ju?
Jo, kjo është pjesë e punës. Unë nuk i marr gjërat personale. Dikush do të më zëvendësonte, qoftë edhe nëse do të kisha ikur më herët. Klubi punon për të mirën e vet dhe për objektivat e veta, sepse bëhet një investim i rëndësishëm çdo vit. Kjo është pjesë e punës. Madje unë përfitoj nga rasti t’i uroj trajnerit të ri të Vllaznisë sa më shumë suksese dhe të shkojnë sa më larg. Jam gati madje t’i ofroj edhe ndihmën time nëse i vlen. Ia thashë edhe klubit.
Për çfarë ndihme e keni fjalën?
Për të dhënat që kam unë për skuadrën. Nëse do t’i duhen, unë ua thashë drejtuesve në klub, se nëse u duhet diçka nga unë, jam gati t’i ndihmoj me shumë dëshirë.
A do t’i ndiqni ndeshjet e Vllaznisë tani e tutje?
Po, patjetër që po. Gjithnjë do ta kem një sy te Vllaznia. Unë tashmë jam i lidhur me këtë klub edhe emocionalisht, jo vetëm profesionalisht.
Ju e njihni më mirë se kushdo Vllazninë, a e fiton titullin kjo skuadër?
Shikoni, për mua “titulli” është fjalë e madhe. Gjithnjë kam menduar se për titullin duhen shumë elementë: organizimi, kontingjenti i lojtarëve, pjekuria e skuadrës, etj. Por mbi të gjitha duhet një skuadër me shumë cilësi në formacion dhe në stol. Unë mendoj se me 2-3 afrime të mira, Vllaznia realisht mund të synojë titullin. Megjithatë, shanset për në “Final 4” i ka dhe aty pastaj mund të tentojë çdo gjë.
Ku ndryshon Korça nga Shkodra në aspektin sportiv dhe për mënyrën se si e përjetojnë futbollin?
Janë të ngjashme në shumë gjëra, sepse e duan jashtëzakonisht shumë futbollin, por në Korçë është pak më i qetë ambienti që rrethon klubin. Punon me më pak trysni. Në Shkodër ka pak më shumë presion dhe mendoj se vjen si pasojë e një zemërate të brendshme.
Pse? Mund të jeni më i qartë?
Shikoni, Vllaznia është emër shumë i madh në futbollin shqiptar dhe e dimë të gjithë çfarë përfaqëson. Por fakt është që prej më shumë se dy dekadash nuk fiton titullin dhe kjo ka sjellë një lloj padurimi. E duan me doemos atë trofe dhe ndonjëherë nxitohen me kohën. Për mendimin tim, çdo gjë do kohën e vet, do durim, do sakrifica për të arritur te titulli. Xhaferi në tri vite ka bërë një punë të shkëlqyer, sepse ka fituar Kupën, por kanë shkuar edhe në Europë. E megjithatë, aty objektiv është gjithnjë titulli dhe ka një lloj trysnie goxha të dukshme në këtë pjesë.
Si ka qenë raporti me tifozët dhe opinionin aty?
Unë jam ndier i respektuar në Shkodër dhe i falënderoj shumë për qasjen që kanë pasur ndaj meje. Madje kam edhe një falënderim për gazetarët e qytetit aty, sepse kemi pasur një raport korrekt dhe profesional. Iu uroj edhe atyre më të mirën.
Jetmir HALILAJ