Teuta-Laçi 1-1 (Shënues: Daci 45’+3’/Myrta 90’+3’)
Teuta-Laçi, ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme për llogari të javës së 12-të të Kategorisë Superiore, është mbyllur në barazim 1 me 1. Durrsakët e drejtuar nga shkodrani, Edi Martini, kanë qënë të pafat, pasi nuk kanë arritur të ruajnë avantazhin e krijuar që minutat shtesë të pjesës së parë, dhe duke pësuar gol po në shtesë, por në të 93-tën, i iken fitorja nga duart.
Sfida e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ndau nga një pikë për secilen skuadër. Pjesa e parë e sfidës ka qenë kryesisht e barazpeshuar, me të dyja skuadrat që përpiqen pak dhe ndërtojnë edhe më pak, duke iu falur goditjeve nga larg apo goditjeve nga këndi dhe atyre të lira. Dhe pikërisht nga një e tillë, në minutën e 3-të shtesë të pjesës së pari, Daci do të gjejë rrugën e rrjetës, duke e çuar kështu skuadrën vendase në epërsi minimale në dhomat e zhveshjeve për pushimin midis dy pjesëve.
Edhe 45 minutat e dyta do të kenë të njëjtën tablo, tanimë me Laçin të pafuqishëm për të gjetur golin e barazimit dhe me Teutën që është e kënaqur me administrimin e lojës, duke synuar ta godasë në befasi kundërshtarin. Ai që do të ndryshojë fatin e ndeshjes është trajneri i Laçit, Mirel Josa, i cili do të tërheqë në minutën e 88-të Kurtin dhe do të fusë në fushën e lojës Myrtën.
Dhe është pikërisht ky i fundit që, 5 minuta më pas, në minutën e 3-të shtesë të kohës së rregullt, do të përfitojë nga një rrëmuje në zonë, aty ku portieri vendas, Dema, nuk arrin ta kontrollojë si duhet topin dhe futbollisti i kurbinasve e dërgon atë në rrjetë. Nuk ka më gol në 3 minutat e mbetura shtesë dhe Teuta e Laçi ndahen në barazim 1-1.