Ndërkohë që skuadra dhe i gjithë kampi kuqeblu është i përqëndruar në ndeshjen e radhës, atë që do të luhet sot ndaj Partizanit në transfertë, por edhe për të tjerat në vazhdim deri në mbyllje të fazës së parë, drejtuesit e Vllaznisë po mendojnë seriozisht për merkaton e janarit.
Kështu, emri i parë që lakohet se mund të vishet kuqeblu, është Matias Lloci, një futbollist me moshë 22 vjeçare, i cili prej disa javësh është duke u stërvitur në gjirin e Vllaznisë, fillimisht në stafin e ish trajnerit Migen Memelli dhe aktualisht me trajnerin e ri, Qatip Osmani.
Nga sa bëhet e ditur, Lloci është një shqiptar i lindur në Belgjikë duke u rritur si futbollist në Akademinë Gent dhe më pas i aktivizuar në disa skuadra belge, si dhe me ekipet kombëtare zinxhir. Me dëshirën e tij dhe të familjes Lloci, ai ka zgjedhur Vllazninë për vijueshmërinë e karrieres së tij sportive, dhe duket se ditët e provës së tij pranë skuadrës kuqeblu kanë rezoltuar pozitive, gjë e cila është konfirmuar edhe nga vetë stafi teknik dhe drejtuesit e klubit kuqenlu.
Me një shtatlartësi të pëlqyeshme, 1 metër dhe 82 cm, Lloci luan në qëndër të mesfushës dhe pritet t’i shërbejë skuadrës në këtë rol. Gjithësesi, edhe pse sinjalet janë pozitive nga të dyja skuadrat, duhet pritur janari kur zyrtarisht do të hapet merkato për nënshkrimin e kontratës së tij me Vllazninë.