Ashtu si çdo të mërkurë, edhe mbrëmjen e së mërkurës, Studio Sport ka ardhur në ekranin ne RTSH Shkodra me komente dhe analiza rreth sportit shkodran. Vëmendjen më të madhe e ka marrë situata e rënduar në kampin kuq e blu pas humbjes 4 me 1 ndaj Partizanit. Ndër të tjera, nga ana e menaxherit Luan Shpuza, ka ardhur një akuzë e rëndë në lidhje me merkaton e Vllaznisë, e cila sipas tij është shoqëruar me abuzime.
“Në qoftëse don me ditë merkaton e Vllaznisë, do t’i kisha kërku SPAK-ut të hapin tabulatet telefonike për të parë se çfar merkato është bërë në Shkodër. Ne i kemi afru klubit dhe drejtorit, CV-të e lojtarëve me nga 2 mijë euro dhe i kanë hedhë në kosh. Këto kanë marrë rekomandim nga një menaxher nga Maqedonia, i cili ka lidhje direkte me drejtorin sportiv. Nuk jam për shpenzime të dyfishta të klubit dhe niveli i futbollistëve aty është, sepse ne e dimë sesi është kampionati në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, pothuajse njëlloj është.
Nëse hapen tabulatet telefonike do të dalin shumë pazare në aspekte rryshfetesh, trukime sportistësh, me largu 3-4 lojtarë nga Vllaznia dhe me marrë këto të tjerët, janë pazaret e bëra.”, thotë ndër të tjera, gjatë emisionit, Luan Shpuza, i njohur si menaxheri Shpuza, duke kërkuar t’i vërë në dukje opinionit sportiv dhe konkretisht presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, shqetësimin e tij në lidhje me abuzimet që ai pretendon se janë prezente në KF Vllaznia në lidhje me merkaton e Vllaznisë.