Partizani U19-Vllaznia U19 2-0 (Shënues: Sulo 55’, Tafili 74’)
Partizani U19: Tahri, Bitallari, Gjuzi, Petritaj, Hidri, Bakalli, Shulku, Tafili, Sulo, Qokthi, Malaj.(U aktivizuan: Rifa, Alla, Kokomani, Sogani, Gjoka). Trajner: Renato Kalari.
Vllaznia U19: Jukaj, Brahimi, Hajdari, Rroku, Marashi, Kapllanaj, Gerbeti, Çelepija, Cungu, Dodaj, Halili.(U aktivizuan: Zymeri, Hagrepi, Kubazi, Sylia).Trajner: Vioresin Sinani
Gjyqtar: M. Syziu, E. Kapxhiu, K. Prenga, A. Xhema
Pas fitores së thellë 4 me 1 ndaj Vllaznisë së madhe të drejtuar nga tekniku Qatip Osmani, të hënën e kësaj fillim jave, Partizani arrin një tjetër fitore ndaj Vllaznisë. Kësaj radhe për Superligën e moshave U-19, ku përsëri Partiani doli fitues duke mundur Vllazninë U-19 me rezultatin 2 me 0.
Ndeshja e luajtur sot në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit u shoqërua me faza interesante, kjo edhe për faktin se në gjirin e të dyja skuadrave ka futbollistë të talentuar, të cilët shumë shpejt pritet të jenë lidër në skuadrat e para të të dy klubeve respektive.
Njëri prej tyre është edhe shkodrani Ensar Tafili, shtatlarti që për arsye të studimeve, nga Akademia Vllaznia, dy vite më parë ka kaluar tek skuadra e kuqe. Falë vlerave që po shfaq në stërvitje dhe ndeshje në kampionatin e moshave është spikatur nga skuadra e parë e Partizanit, e cila e ka bërë pjesë të sajin.
Ndërkohë, që nisur nga mosha e re që ka, po kontribuon edhe në kampionatin e moshave për ekipin e Partizanit U-19. Madje, sot Ensari, nipi i çiklistit të madh Agim Tafili, si dhe djali i xhaxhait, futbollistit Alsid Tafili, edhe ai jo shumë larg pjesë e Partizanit, shënoi golin e dytë për të kuqtë në portën e Vllaznisë. Gol, i cili dallohet qartë edhe në vidion që shoqëron shkrimin.
U ndalën tek Ensar Tafili, pikërisht tek ky djalosh i talentuar që i dalë nga Akademia Vllaznia, po vijon një karrierë shumë të suksesshme në radhët e Partizanit, dhe me të gjitha gjasat e ardhmja e tij pritet të jetë në nivele të larta.
Duke mos u larguar nga Partizani, duhet thënë se në gjirin e tij është edhe një tjetër shkodran i talentuar si Nebi Qokthi, që sot ishte titullar i formacionit të skuadrës së tij.
Sa i përket kronikës së lojës, duhet thënë se megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, pjesa e parë u mbyll pa gola, 0 me 0. Ndërkohë që dhjetë minuta nga nisja e pjesës së dytë, goli i shënuar nga Sulo që kalon në avantazh Partizanin. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani reagojnë duke ndërmarrë shumë aksione drejt portës së Partizanit në kërkim të golit të barazimit. Por, kur pritej një gjë e tillë për Vllazninë, shpërthimi i shtatlartit Ensar Tafili drejt portës kuqeblu, përfundon me gol duke bërë që në minutën e 74-të Partizani të kryesojë me rezultatin 2-0.
Rezultat ky që mbyll të gjithë ndeshjen duke nxjerrë fitues Partizanin me rezultatin 2 me 0. Fitore kjo që e mban Partizanin në krye të renditjes për Superligën U19 me 13 pikë, i ndjekur nga Bylis, Laçi dhe Dinamo me 12 pikë, Tirana me 11 pikë, Vllaznia 10 duke lënë pas Skënderbeun me 7, Teutën me 4, Internacional me 3 dhe në fund Apolonia me 2 pikë.
(Video) Pamje nga ndeshja Partizani U19-Vllaznia U19, 2-0. Goli i dytë i shkodranit të Partizanit, Ensar Tafili.
Gaspër MARKU