Kuqeblutë luajnë këtë fundjavë në transfertë me ekipin Korçar Skëndërbeu. Në prag të kësaj ndeshje për Veriu Sport ka folur mesfushori i Vllaznisë, Fjori Jonuzi.
Jonuzi, të dielen ora 13.00, Skenderbeu-Vllaznia. Një ndeshje e cila pritet me interes për opinionin sportiv shkodran dhe më gjerë, ku edhe pse korçarët gjenden në kufijtë e mbijetes ballafaqohen me kryesuesit e kampionatit, pritet një ndeshje me të vërtetë e fortë.
Normalisht siç e thatë dhe ju është shumë ndeshje e vështirë sepse Korça është në vend të fundit dhe i duhen pikët. Kanë treguar edhe përformanca të mira edhe pse kanë pësuar humbje. Unë mendoj se duhet ta vlerësojmë maksimalisht sepse kanë një ekip me çuna të rinj por që vrapojnë dhe luftojnë shumë dhe duhet t’i vlerësojmë.
Fakti që në Korçë të dielën mund të ketë dhe dëborë, është problem për Vllazninë?
Jo vetëm për skuadrën tonë, por për të gjitha skuadrat sepse duhen kushte optimale për të luajtur futboll, por do të shikojmë si është terreni. Nqs është me borë atëherë duhet të ndryshojmë ndoshta edhe taktikë sepse është e vështirë të luhet dhe nuk do të ishte e përshtatshme për ne.
Vllaznia udhëton me mungesa të shumta drejt Korçës. Sa do ta ndiejë skuadra këtë boshllek titullarësh?
Mungesat janë të rëndësishme normalisht kur ke kaq shumë kohë që luan me disa lojtarë, por sido lojtarët i kemi dhe ato do i zëvendësojnë. Stafi i ka dhënë besim të plotë dhe sa herë që i është dhënë mundësia, ato e kanë shfrytëzuar dhe mendoj se nuk do të jetë shumë problem.
Vetë Jonuzi, sa i kënaqur është me veten e tij për kontributin që po jep tek skuadra kuq e blu?
Deri tani jam i kënaqur sepse e kam ndihmuar ekipin dhe kam pasur përformanca të mira, mund të them vetëm se më ka munguar goli dhe shpresoj që të zhbllokohem në javët në vijim.
Duke folur për vazhdimësinë, jeni 6 pikë më lart se rivalët tuaj, besoni se mund ta ruani këtë distancë deri në fund dhe të ktheni titullin kampion në Shkodër?
Normalisht që duhet ta ruajmë. Do të jetë e vështirë sepse janë shumë ekipe që luftojnë për titull kampion por normalisht ne duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe po i vlerësuam të gjitha, mendoj dhe kam besim tek ky grup se do ta ruajmë këtë distancë.
Partizani, Laçi dhe Teuta janë këto tre skuadrat kryesore që ju kërcënojnë. Cila prej tyre ose edhe ndonjë tjetër, e vlerësoni si rival direkt për Vllazninë?
Nuk do veçoja asnjë ekip por mund të thoja se këto ekipe janë ekipe që kanë afërsisht të njëjtat pikë dhe kanë lojtarë cilësorë kështuqë do të jetë një garë shumë e fortë deri në fund.
Dhe së fundmi dicka për të ardhmen tuaj. Ky është sezoni i parë me Vllazninë, deri kur e keni kontratën me skuadrën kuq e blu dhe si do të jetë vazhdimësia?
Kontrata më përfundon në fund të sezonit. Do të kemi kohë që të bisedojmë edhe me drejtuesit dhe do shikojmë si do të vijojmë deri në fund të kampionatit dhe të vendosim.