Kombëtarja e Shqipërisë në boks, e cila që prej së hënës gjendet në Budva të Malit të Zi, si pjesëmarrëse në Kampionatin Europian të kategorisë U-22 me tre boksierë, mbrëmjen e sotme ka arritur të sigurojë fitoren e parë.
Ndërsa, në ditën e parë, boksieri i peshës deri në 57, Ariol Zeneli u mund nga rivali i tij, Azrak Babirov i kombëtares së Azerbajxhanit, mbrëmjen e sotme ka ardhur fitorja e parë për kuqezinjtë. Atë e ka siguruar boksieri i peshës deri në 75 kg, Flavio Meta, i cili mundi kundërshtatin e tij të përfaqësueses rumune, Aleksandru Marian Beleu.
Me këtë fitore, Meta futet në listën e tetë më të mirëve të Kampionatit Europian U-22. Që do të thotë se me një fitore tjetër të mundshme në këtë raund, Meta kualifikohet pr në zonën e medaljeve.
Sipas kalendarit të Europianit, ndeshjen e ardhshme të vlefshme për turin çerekfinal, Flavio Meta do ta zhvillojë përballë kundërzhtarin e kombëtares së Serbisë, Almir Memiç.
Ndërkohë, për boksierin tjetër të kombëtares së Shqipërisë, Geljan Rajku, konkurues i peshës deri në 92 kg, ballafaqimi i turit të parë në këtë europian do të jetë pasditen e së enjtes duke pasur përballë boksierin Ramazan Dadev të kombëtares së Rusisë.