Vllaznia-Partizani 0-3 (20-25, 10-25, 22-25)
Vllaznia: Sarah Beci(C), Xhesika Kaçi, Paola Gjyshja, Stela Agolli, Laura Ballçiti, Edna Erkoçi, Liridona Kodra, Elira Rukaj, Marjana Ndou. Trajnere: Nora Deda
Partizani: Sara Stafa, Eni Fagu, Klavia Petëza, Çezarina Xheka, Joana Kushi, Uerda Ndou, Kejsi Sirira, Xhovana Kaçorri, Eda Gjermeni, Megi Sallahu, Ergysa Blloku. Trajner: Amarilda Prenga.
Gjyqtarë: Ramadan Tafili, Tedi Zguri
Vllaznia në volejboll për femra nuk ia del të ndalë Partizanin. Megjithë dëshirën dhe përpjekjet maksimale të volejbollisteve kuqeblu për ta kurorëzuar me sukses këtë ndeshje, falë kualiteteve që ka në përbërjen e saj, skuadra mysafire ka arritur të fitojë pastër me rezultatin 0 me 3.
Gjithësesi, përpos setit të dytë, i cili ishte tërësisht i dominuar mga Partizani, i cili fitoi me rezultatin 10 me 25, dy setet e tjera, i pari dhe sidomos i treti janë shoqëruar me rivalitet deri në pikët e fundit.
Në të dytin, mikeshat e drejtuara nga trajnerja Amarilda Prenga arrijnë të fitojnë me shifrat 20 me 25. Ndërkohë, seti i tretë fillon dhe vijon për një pjese të madhe të lojës me avantazhin e Vllaznisë. Nën drejtimin e trajneres Nora Deda, skuadra kuqeblu duket se është shumë pranë fitores, madje edhe kur shifrat janë të barabarta, 23 me 23.
Pikërisht, në këto shifra të barabarta, topi është për Vllazninë, e cila shpërdoron shërbimin duke i dhënë avantazhin Partizanit, i cili duke përfituar edhe nga demoralizimi i humbjes së atij shërbimi nga skuadra kuqeblu, shënon edhe pikën e 25-të duke e mbyllur me fitore këtë set, 23 me 25 dhe të gjithë ndeshjen, 0 me 3 me sete.
Të humbësh me Partizanin që është pretendent kryesor për fitimin e dy trofeve, Kupë dhe Kampionat, nuk përbën ndonjë problem në vete për skuadrën kuqeblu, e cila përgjithësisht përbëhet nga vajza të reja.
Por, në një farë mënyre, duket se skuadrën e ka dobësuar jo pak mungesa e kapitenes Klodeta Zhivani, e cila për arsye shëndetësore, ka disa ndeshje që nuk është në fushën e lojës. Megjithatë, edhe pse me këtë kontigjent, Vllaznia tregoi se mund të jetë një skuadër që lufton dhe e meriton të jetë në katër skuadrat më të mira të fazës Play-Off.
Siç është thënë edhe më herët nga trajnerja Nora Deda, skuadra ka nevojnë për përforcime me volejbolliste me përvojë, ashtu siç kanë bërë rivalet e tyre që kanë marrë volejbolliste të huaja. Një gjë e tillë është premtuar nga drejtuesit e shoqatës Vllaznia në volejboll femra duke paralajmëruar periudhën e merkatos së ndërrimit të viteve.
Dhe, nëse vertet bëhet realitet që skuadra të përforcohet në ndonjë pozicion të caktuar, atëherë, sipas stafit teknik kuqeblu, me vajzat e reja të talentuara që janë pjesë e skuadrës, do të kemi një Vllazni tjetër, e denjë, jo vetëm për fazën Play-Off, por pse jo, për të rivalizuar denjësisht edhe me skuadrat e kreut të kampionatit.
(Video) Volej femra. Vllaznia-Partizani, 0-3. Kupa e Shqipërisë, seti i tretë me koment. Pallati i sportit “Qazim Dervishi”-Shkodër, 17 nëntor 2023