Ishujt Faroe kanë kryer seancën zyrtare stërvitore në Arena Kombëtare, përpara ndeshjes së fundit eleminatore me Shqipërinë. Të fundit me 1 pikë në 7 ndeshje, të besuarit e teknikut Hakan Erikson do të mundohen të pengojnë kuqezinjtë të arrijnë misionin final, vendin e parë në grupin E të Euro 2024.
Në konferencën për shtyp, numri 1 i pankinës së Ishujve Faroe ka qenë disi kontrovers, kur pretendon se do të aplikojë skema të reja për të bllokuar Shqipërinë, por ka lënë seancën stërvitore të hapur për mediat.
“Nuk do të isha këtu, po të mos e besoja. Ne nuk jemi këtu për ti prishur punë apo rezultatin Shqipërisë, por për të bërë mirë vetë e për të ecur përpara. Do të aplikojmë disa skema të reja në këtë ndeshje, që nuk kemi patur mundësi t’i provojmë”, tha Hakan Erikson.
E megjithatë, e habitshme në këtë rast, sepse Ishujt Faroe në seancën e fundit kanë mbajtur të hapur dyert për mediat, jo vetëm 15 minuta si ndodh zakonisht. Kjo tregon në fakt se skuadra e Ericson dhe vetë tekniku nuk është se kanë ndërmend të përdorin befasinë ndaj kuqezinjve, që me një pikë sigurojnë vendin e parë në grup.