Trajneri i kampionëve të Kosovës, në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Viktoria Plzen
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka dalë në një konferencë për shtyp për të komentuar sfidën me Viktoria Plzen, në Grupin C të Ligës së Konferencës. Sfida do të luhet të enjten në “Air Albania” duke nisur nga ora 18:45.
“Rikthehemi në stadiumin emblemë të të gjithë shqiptarëve. Kemi kaluar shumë mirë edhe në stadiumin “Fadil Vokrri’, por për shkak të kushteve atmosferike vijmë të luajmë në këtë stadium. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje sa më dinjitoze ndaj Viktoria Plzen. Kemi mungesa, por jemi të motivuar sepse e dimë rëndësinë e kësaj sfide. Çdo futbollist, në një stadium të tillë, do të dijë të marrë ndeshjen me qetësi dhe të japë maksimumin”.
“Fakti që ata janë të kualifikuar, ka të dy anët e medaljes. Ndoshta nuk do të kenë motivimin maksimal dhe mund të bëjnë rotacion, por nga ana tjetër ata janë profesionistë. Luajmë në Shqipëri dhe besoj se do ta ndjejmë veten si në shtëpinë tonë, pasi jemi në shtëpinë tonë. Shumë lojtarë nuk e kanë shkelur ndonjëherë këtë terren, ky do të jetë një minus për ne, por do të përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme”.
“Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme dhe do të duam tregojmë anën tonë më të mirë. Ne të gjithë bashkë do të tentojmë të bëjmë një tjetër arritje, por e dimë që do të jetë tmerrësisht e vështirë. Përveç ndeshjes me Viktoria Plzen, na pret edhe një transfertë shumë e vështirë në Zagreb ndaj Dinamos. Megjithatë do të provojmë të bëjmë një tjetër hap historik”.