Laçi-Tirana 2-2(Shënues: 59′ Najdovski (AU), 90+2′ U. Kordeiro / 18′ Hasani, 45’+2′ Abazaj
Tirana është arritur në frymën e fundit nga skuadra e Laçit, në ndeshjen e javës së 16-të të Superiores duke dhuruar një barazim 2-2. Një rezultat që i shkon më shumë për shtat skuadrës kurbinase, me bardheblutë që shpërdoruan avantazhin e dy golave.
Kryeqytetasit e nisën mjaft mirë sfidën dhe në fraksionin e parë arritën të shënojnë dy herë. Fillimisht ishte Hasani që në minutën e 18-të, pas një gabimi të mbrojtjes vendase, arriti të mposhtë portierin Dajsinani duke kaluar të tijtë në avantazh. Në fundin e pjesës së parë është Abazaj që godet saktësisht duke dyfishuar shifrat.
Megjithatë, në pjesën e dytë skuadra vendase ka arritur të reagojë duke shënuar fillimisht me anë të Kurtit, gjuajtja e të cilit u devijua nga Najdovski dhe përfundoi në rrjetë pikërisht në minutën e 60-të.
Ndërkohë, në shtesë, kur gjithçka dukej e përfunduar ka ardhur dhe goli i barazimit me protagonist Kordeiro. Mbyllet 2-2, me Tiranën që koleksionon ndeshjen e tretë radhazi pa fitore(dy barazime, një humbje), ndërsa Laçi ngjitet në kuotën e 17 pikëve.