“Topi i Artë” 2023 për vajza i është akorduar futbollistes së Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, Megi Doçi. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistja e Apolonisë Valentina Troka dhe lojtarja e Vllaznisë, Ezmiralda Franja.
Në mbrëmjen gala të zhvilluar në “Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit”, ishte ish-kapiteni i Kombëtares, Altin Lala, ai i cili i dorëzoi këtë trofe të rëndësishëm Megi Doçit. Në fjalët e tij përshëndetëse, Lala uroi Megi Doçin dhe të gjithë fituesit e tjerë dhe vlerësoi arritjet e futbollit shqiptar, në veçanti të Kombëtares kuqezi.
Pasi mori në dorëzim trofeun e “Topit të Artë”, Megi Doçi nuk i fshehu emocionet dhe tha se është shumë e lumtur që është vlerësuar me këtë çmim.
“Në fakt, është kënaqësi të jesh më më të mirëve dhe mes më të mirëve të Kombëtares, që na mësuan me kualifikminn në Evroroian, Cdo çmim ka rëndësinë e vet. Falënderoj Vllazninë, shoqet e mia, Presidentin Matija dhe Presidentin Duka, që i ka qëndruar shumë pranë futbollit të femrave.
Është e vështirë të jesh rritur në një fshat të Burrelit dhe të fitosh kaq shumë trofe. Pak ditë më parë kam festuar 700 gola në karrierë, një arritje që më motivon më shumë. Falënderoj të gjithë trajnerët që kanë kontribuuar në formimin tim” – tha Megi Doçi