Orges Shehi e nis me këmbë të mbarë aventurën si trajner i Partizanit duke marrë një fitore 1-0 përballë Teutës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Superiore.
Rasti i parë i rrezikshëm ishte i të kuqëve, por portieri i durrsakëve, Dema i mohoi golin Carës, duke ndezur kështu sfidën. Në minutën e 21-të, skuadra kryeqytetase gjeti golin me Hadroj, por festa zgjati pak, pasi VAR e konsideroi si pozicion jashtë loje. Në minutën e 38-të, Kotobelli shkaktoi penallti pas një ndërhyrje ndaj Hadroj, duke i dhuruar mundësinë e artë vendasve. Nga pika e bardhë u nis Cara, i cili nuk fali dhe kaloi Partizani në epërsi.
Në pjesën e dytë, Teuta u përpoq të barazonte. Shtylla dhe Qirko shpëtuan të besuarit e Orges Shehit nga pësimi i një goli të sigurt, në të 50-tën. Mysafirët barazuan shifrat me debutuesin Faust, gjithsesi goli u cilësua si offside. Në fund pati minuta edhe për Xhuliano Skukën, i cili u aktivizua për herë të parë që prej rikthimit të bujshëm te Partizani.
Kështu, Partizani renditet në vendin e dytë me 35 pikë, 5 pikë më pak se Egnatia kryesuese. ndërsa Teuta mbetet në vendin e fundit me vetëm 16 pikë.