Armando Cungu, ish-futbollisti dhe trajneri i Vllaznisë, por jo vetëm, ka folur në një intervistë për “Panorama Sport” rreth situatës te shkodranët pas barazimit ndaj Partizanit.
Ai ka drejtuar Vllazninë dhe Laçin, ndërsa ka komentuar sfidën e së dielës mes këtyre ekipeve. Sipas tij Vllaznia i ka mundësitë për të arritur më të mirën, por në një përballje të tillë me Laçin, ku dihet forca e kësaj skuadre në fushën e vet, edhe një pikë do të mund të quhej një rezultat pozitiv. Ndërsa sipas tij mundësitë për të qenë në fund të sezonit në Kupat e Europës ekzistojnë dhe për më tepër kjo shikohet si e vetmja mundësi për të shpëtuar sezonit.
E kishit menduar se kjo skuadër, pa afrime që nuk kanë dhënë ende asgjë, do të ishte në këto pozita?
E kam menduar dhe deklaruar që Vllaznia nuk është “autoshkollë” për të mësuar dorën dhe as pastrim e pasurim “CV”-je për disa lojtarë që nuk njiheshin. Ashtu si filloi Vllaznia do të luftonte vetëm për mbijetesën. Koha e vërtetoi këtë. Tani mendoj se është më mirë me brumin që ka dhe të mbështet vetëm tek këta djem.
Një Vllaznia krejt ndryshe nga ajo e startit, çfarë ka ndryshuar sipas jush?
Falë ndryshimit të stafit teknik Vllaznia tregoi fytyrë tjetër në atmosferë dhe në lojë. Dhe kjo besoj është e dukshme për këdo që e njeh sadopak futbollin.
Një pikë ndaj Partizanit rezultati më i drejtë?
Duke pasur përballë një ekip të organizuar mirë dhe me shumë cilësi dhe organikë, edhe për çka paraqiten ekipet gjatë lojës mendoj se ishte rezultati më i drejtë i asaj përballje.
Keqardhje që u ndërpre ajo ecuri prej 6 takimeve vetëm me fitore?
E thashë edhe më lart është një ecuri shumë pozitive e Vllaznisë dhe nuk ka vend për keqardhje, pasi të përballesh me ekip si Partizani nuk asht e lehtë. Përtej dëshirës së çdo shkodrani, unë e mendoj si rezultat pozitiv. Nuk ka vend për t’u mërzitur.
Këtë javë ndaj Laçit, një tjetër kundërshtarë i vështirë, si e shikoni këtë sfidë, për më tepër që ju i keni drejtuar që të dy këto skuadra?
Mendoj se është një sfidë jo e lehtë, por jo e pamundur. Laçi ka një ekip të ri dhe pa eksperiencë, duke pasur oshilacione në lojë dhe rezultate. Vllaznia shkon në këtë takim me atmosferë dhe psikologjikisht shumë e fortë, çka ja rrit shanset për rezultat pozitiv. Por Laçi është një ekip me shumë karakter të fortë dhe ka përballë një trajner që e njeh mirë edhe mentalitetin e Vllaznisë. Mendoj se gjithçka është e hapur.
A mund të quhet edhe barazimi në këtë sfidë një rezultat pozitiv?
Për mendimin them po! Me rëndësi është që të mos humbasë. E thashë është një ekip i fortë në fushën e vet dhe është një fushë e vështirë për çdo skuadër.
Mesa duket tani Vllania është në rrugën e duhur për në katërshen e parë, apo duhet të ruhet nga vetëkënaqësia?
E rëndësishme për Vllazninë është pjesëmarrja në kupat e Evropës çka do të përkthehej në shpëtim të një sezoni të tërë. Mendoj se me këtë ecuri është në rrugën e duhur.
E shikoni këtë skuadër rivale si për kampionat edhe për Kupë?
Për kampionat ka shumë konkurrencë, me ekipe të mirë organizuara si Egnatia dhe Partizani, por dhe Tirana ka kontingjent të mjaftueshëm përtej oshilacioneve të shumta. E thashë dhe ma lart, për si u organizua dhe e nisi Vllaznia, me rëndësi është pjesëmarrja në Europë çka do ishte barka e shpëtimit të sezonit. Kjo nuk të heq mundësinë për ta provuar dhe luftuar për trofe.
Admir URUÇI