Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli për MCN TV, pas barazimit me Tiranën në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Martini deklaroi se skuadra e tij e ka forcën të luajë si e barabartë në kryeqytet, ndërsa shtoi se do të luftohet në dy fronte, Kupë dhe kampionat.
Tirana luajti me shumë forca në mbrojtje. Luajtën 3-5-2. Donin të na kapnin në kundërsulm. Ndeshjet e Kupës janë specifike, sepse luhen dy takime. Kishim raste për shënim. Kishim më tepër qarkullim topi. E bllokuam Tiranën për ta nisur lojën nga portieri. Prisnim të luanin me 4 mbrojtje. Kishim rastet tona, por nuk ishim të qartë. Duhet të shfrytëzojmë më mirë goditjet standarde, që janë pika e fortë.
Doktori tha se Çyrbja mund të ketë menisk, por shpresoj të mos jetë kështu, sepse na duhet shumë si lojtar.
Faust ka ndjerë shqetësim. Kotobelli pësoi lëndim në stërvitje dhe na prishi shumë punë. Nuk doja ta rrezikoja, sepse jemi në situatë të keqe nga dëmtimet.
E kemi forcën që të luajmë me Tiranën si të barabartë në kryeqytet, prandaj u treguam të kujdesshëm. Mund të bënim më shumë.
Kupa është një mundësi për Europën. Është e mundshme që të kualifikohemi. Do luftojmë në të dyja frontet, Kupë dhe kampionat.