Trajneri Silvinjo la të kuptohet se nga tani deri në fillimin e Euro 2024 mund të ketë shumë surpriza sa i përket lojtarëve, të cilët do të përzgjidhen prej tij për të qenë pjesë e grupit kuqezi.
Ashtu siç e ka theksuar edhe në konferencën përpara grumbullimit të Kombëtares, trajneri Silvinjo u shpreh se nuk e konsideron miqësore takimin ndaj Kilit nesër apo edhe atë ndaj Suedisë të hënën. Tekniku kuqezi vlerësoi maksimalisht skuadrën e Kilit, që ka marrë pjesë disa herë në fazën finale të kampionatit botëror. Ndër të tjera, trajneri i pankinës kuqezi foli edhe për mundësinë nëse Broja dhe Manaj mund të luajnë bashkë, ndërsa theksoi se ky është momenti më i mirë për të parë të gjithë lojtarët, jo vetëm në stërvitje, por edhe në ndeshjet ndaj Kilit e Suedisë.
Një ndeshje që ndoshta ju kthen nostalgjinë e përballjeve Amerikano-Jugore?
Nesër do të ketë një stadium plot me tifozë shqiptarë dhe do të jetë një ndeshje shumë e bukur. Aktualisht ne nuk po mendojmë për “Euro 2024”, na pret puna. Lojtarët flasin vetëm për dy ndeshjet miqësore me Klin dhe Suedinë, dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe të vështira. Ne e kemi thënë shpesh që nuk ka miqësore, të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kemi sfidën me Kilin që ka emra të rëndësishëm në skuadër si Alexis Sanchez, Diaz, Vargas apo Perez që është një lojtar i ri. Mos të harrojmë që Kili është një skuadër që ka marrë pjesë 9 herë më finalet e Botërorit dhe ka kaluar 3 herë në fazën çerekfinale. Është skuadër që është mësuar të luajë me ekipe të mëdha si Brazili, Italia, Anglia. Për mua si amerikano-latin kjo ndeshje është e veçantë dhe sigurisht do të jetë një ndjesi e bukur, po me Shqipërinë është diçka ndryshe.
Manaj & Broja, a mund të luajnë të dy në ekipin e Silvinjos?
Ky është një moment shumë i veçantë, qoftë për ne si staf, por edhe për lojtarët. Manaj dhe Hoxha vijnë për herë të parë në grumbullim me këtë staf në kombëtare. Broja vjen për herë të dytë, pavarësisht se herën e parë nuk kemi pasur mundësinë ta shohim plotësisht. Edhe Muçollin nuk e kemi testuar si duhet dhe edhe ai mund të quhet një prurje deri diku e re. Kemi thirrur edhe portierin Alen Sherri duke qenë se Berisha ka pasur probleme. Në futboll mund të ndodhë gjithçka dhe mund të luash në çdo lloj mënyre. Nuk mund të thuash kurrë në futboll që kjo nuk mund të ndodhë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll. Përgjigjja ime direkte është PO. Manaj dhe Broja janë dy lojtarë që mund të luajnë në një formacion, sepse kanë karakteristika të ndryshme.
Lista e Europianit, sa rrezikojnë lojtarët që nuk janë grumbulluar?
Ky është momenti për të menduar për Kilin dhe Suedinë, jo për Europianin. Jo vetëm unë por edhe stafi teknik, Federata të gjithë jemi të fokusuar vetëm në këto dy ndeshje miqësore dhe nuk jemi duke menduar aspak për finalet e Europianit. Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme që unë nuk i konsideroj si miqësore. Luajmë me Kilin dhe Suedinë skuadra shumë të forta dhe vijnë në këto ndeshje me dy trajnerë të rinj që kanë uri dhe pritshmëri. Është moment i mirë për të vlerësuar lojtarët për t’i vëzhguar jo vetëm në ndeshje por edhe në stërvitje, për të bërë zgjidhjet më të mira dhe të kuptojmë si është situata e gjithsecilit. Këtë herë mungon Muja, Gjasula, Daku, lojtarë shumë të mirë që kanë dhënë kontribut shumë të madh. Nuk janë këtë herë, por nuk do të thotë që nuk do të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen, janë gjithmonë aty. Në këtë çast nuk mendoj fare për listën e Europianit.
Eksperienca që kam pasur me Brazilin?
Kam qenë një nga asistentët e trajnerit Tite në vitin 2016 deri në vitin 2019, ku kam marrë pjesë edhe në Botërorin 2018. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe fakti që kam punuar me një Kombëtare më ka motivuar dhe më ka shtyrë që unë të punoj me një ekip kombëtar. Besoj se kemi bërë shumë paraqitje të bukura me Brazilin dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Të punosh me një kombëtare është ndryshe nga si punohet me klubet. Në Kombëtare dera është e hapur gjithmonë dhe ka lojtarë që vijnë e ikin. Në klub punohet ndryshe. Nuk mund të flas për pjesën e situatës që çdo lojtar ka me klubet e tyre. Do të doja që ata të luanin sa më shumë. Puna ime është të vëzhgoj, të analizoj se si paraqitet gjithësecili dhe shpresoj që ata të aktivizohen sa më shumë. Sa i përket eksperiencsës me Mancinin, ai është një trajner fitues dhe personalitet në botën e futbollit.
Kili?
Pres një ekip shumë të motivuar. Edhe ne duhet të tregojmë eksperiencën tonë duke luajtur me ekipe të tilla si Kili, që janë mësuar të luajnë në nivele të larta. Është hera e dytë për ne që shkojmë në një Europian.