Sot është në cilënë e trajnerit të kombëtares së Shqipërisë U-19, por si një njohës i mirë i Superiores së futbollit shqiptar, pasi ka pasur rastin të drejtojë skuadra me peshë si Vllaznia, Kukësi dhe Laçi, Armando Cungu është mjaft i kërkuar nga media dhe sidomos studiot televizive sportive, siç ishte edhe lidhja e drejtpërdrejtë që kishte mbrëmjen e së hënës përmes Skype me emisionin “Sport Neës Plus” në “Neës 24”. I pyetur nga drejtuesja e emisionit, mes të tjerave ai analizoi ecurinë e Laçit ku realisht skuadra e sotme që kryeson kampionatin është ndërtuar dhe përgatitur prej tij, por situatat bënë që ai të largohej duke mos e përfunduar projektin që kishte me të. Ndërkohë, në analizën e tij, Cungu preku edhe çështjen “Brdariç”, vendimin për ta larguar si dhe rikthimin përsëri në detyrë të trajnerit të Vllaznisë
Prononcimi
“Nuk më vjen keq që u largova nga Laçi, futbolli i tillë është, por më vjen keq mënyra se si u largova. U pranua nga të gjithë vështirësitë e sezonit. Ishte një moment i vështirë për Laçin dhe për ekipet që morën pjesë në Europë. Fatkeqësisht Laçin e kapi virusi në fillim të kampionatit. Të njëjtat probleme kanë pasur edhe ekipet e tjera që morën pjesë në Europë.
Kam qenë i bindur se ata djemtë do të jenë më të rritur në aspektin profesional dhe në mënyrën se si do ta menaxhojnë veten. I kanë pasur mundësitë për të konkurruar për titullin. Nuk kam dyshuar në asnjë moment të vetëm që ky ekip do t’i afrohej kreut. Nuk është hera e parë që më ndodh kjo gjë, më ndodhi edhe para 2 vitesh me Kukësin. Keqardhje ka patjetër, por duhet t’i pranojmë.
Nuk jam dakord për kthimet. Janë gabim kthimet. Kur thyhet diçka është vështirë të ngjitet prap. Nuk më pëlqen të dorëzohem, por ndodhën ato situata. Kthimi i Brdariç nuk më le shije të mirë, i çuditshëm është edhe vendimi për ta larguar. Askush nuk e ka projektuar Vllazninë kampione, as për Kupat e Europës.
Nuk ka pasur asnjë gjë të shkruar apo logjike, për sa i përket titullit kampion. Vendimi mendoj është marrë nga diferenca e madhe e pikëve që ishin para disa javësh. Shpresoj dhe uroj që të gjehen ekuilibrat sa më shpejt. Gjithçka mund të ndodhë, uroj që Vllaznia të marrë përsëri kreun dhe ta mbyllë në krye.
Laçi është ekipi për t’u mundur. Është më i stabilizuar dhe ka rendiment rezultatesh. Partizani para derbit pati 2 ndeshje problematike para derbit. Laçi është më i stabilizuar. Të jep garanci për sa i përket garancisë. Duke njohur shumë faktorë, mendoj që Laçi do të jetë ekipi për t’u mundur në këtë sezon”, përfundoi Cungu.