Kategoria e Parë zhvilloi ditën e djeshme 5 nga 6 sfidat e javës së 30-të të saj. Dueli mes Korabit dhe Luzit u shty për shkak të reshjeve të dendura të dëborës dhe kjo përballje është vendosur të luhet ditën e mërkurë në orën 15:00.
Por pavarësisht kështu është mësuar edhe axhenda e javës së 31-të të Kategorisë së Parë, e cila do të luhet e ndarë në dy ditë.
Kështu të shtunën Burreli do të presë në shtëpi Lushnjen. Një sfidë direkte mes tyre për t’iu larguar zonës “Play-Out”. Korabi do të luajë në transfertë ndaj Besës së Kavajës.
Luzi 2008-Apolonia dhe Tomori-Kastrioti janë dy takimet e tjera që do të zhvillohen po ditën e shtunë. Të gjitha këto sfida do të startojnë në orën 15:00.
Ndërkohë ditën e hënë do të luhen dy sfidat e mbetura të javës së 31-të. Bylisi do të presë në orën 15:00 ekipin e Flamurtarit. Një duel shumë i rëndësishëm për të dyja skadrat që kërkojnnë tre pikët. Ndërsa ndeshja e fundit është Elbasani-Vora që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” në orën 18:00.
Fatos LAMAJ