Korabi u mund sot në Shkodër me rezultatin 1 me 0 dhe u eleminua nga Kupa. Në krye të dibranëve ishte trajneri Agim Canaj, një njohje e mirë e kuqebluve, pasi më herët ka drejtuar tre herë Vllazninë. Në konferencën e shtypit dhënë menjëherë pas ndeshjes të luajtur në “Loro Boriçi”, Canaj foli për episodet e ndeshjes, por i pyetur nga gazetarët, sqaroi edhe incidentin me zyrtarin e KF Vllaznia, Suad Lici
Profesor, sot përballë Vllaznisë së Superligës, i kënaqur me skuadrën tuaj?
“ Në radhë të parë dua t’ju përshëndes juve, spektatorët shkodranë , qytetarët shkodranë, pasi kam kaluar tre herë momente dhe vite shumë të bukura të karrieres time duke drejtuar Vllazninë. Dhe, normalisht edhe sot erdha me shumë qejf, ashtu siç kam ardhur gjithmonë si kundërshtar, por edhe si drejtues i ekipit të Shkodrës. Më vjen mirë që shoh kaq shumë gazetarë dhe kameramanë, dhe shpresoj shumë që kjo është shtëpia e dytë për mua, unë e kam thënë gjithmonë një gjë të tillë. Përsa i përket ndeshjes, unë e dija që favorit do të ishte Vllaznia, dhe më ka ardhë shumë keq për luhatjet e saj të fundit me oshilacionet që pati. Besoj shumë që në kampionat të bëjë mirë dhe kjo ndeshje që zhvilloi me ne, t’i shërbej për anën psikologjike të tyre. Përsa i përket ekipit tim, unë e kisha vlerësuar shumë këtë ndeshje, pasi e kam thënë edhe më përpara në intervistat e dhëna që kam lojtarë të rinj, lojtarë që duan të promovohen. Mendoj se sot ia arritëm qëllimit, ishim shumë të organizuar. E kishim përgatitur ndeshjen mirë, në mënyrë që edhe po të pësonim gol ne të ishim po ajo skuadër. Arritëm të krijonim disa raste të pastra, mund ta çonim ndeshjen edhe në shtesë, dhe më pas nuk i dihej. Por, ajo që dua të them, Vllaznisë i uroj vetëm suksese në vazhdimësi, dhe që edhe nëse nuk e merr kampionatin të jetë pjesëmarrë në Kupat e Europës.
Canaj, nga sa u pa, pas ndeshjes patët një incident me një zyrtar të klubit Vllaznia, Suad Licin
Jo, nuk mund ta quaj fare incident. Këto janë gjëra që ndodhin, ishte diçka që nuk kanë vlera për mua. Kështu që, unë jam qytetar i Shkodrës dhe i dua të gjithë, edhe atë që mund të ketë bërë një veprim të pamatur. Megjithatë, për mua nuk ka asnjë rëndësi, thjeshtë unë do të vij këtu në mes të ditës, në mes ta natës, dhe Shkodrën dhe shkodranët i dua si familjen time. Kështu që, ajo që më ngelet, t’ju uroj juve gjithë të mirat dhe skuadrës sukses në ndeshjen me Kastriotin dhe në vazhdimësi.
Profesor, luftë shumë e fortë sportive në Kategorinë e parë Grupi A, Korabi pretendent për në Superligë?
Të them të drejtën, unë nuk e kam pasur këtë trysni nga drejtuesit, por, ju më njihni mua, dhe skuadrën e kam përgatitur mirë. Dy fitoret e fundit me Besëlidhjen dhe Burrelin më kanë dhënë shumë shpresë që të luftojm deri në fund. Skuadra është shumë e përgatitur dhe po më kënaq edhe mua, të paktën në aspektin fizik, sepse sot, ne e pamë të githë qe skuadra e jonë u ngritë goxha shumë, bëri të gjitha detyrat, dhe shpresoj që edhe kjo të shërbejë në aspektin psikologjik që është një skuadër që të krijojë besim maksimal për të arritur tek suksesi.