“Final Four” do të ngrejë siparin ditën e sotme me takimin e parë gjysmëfinal Partizani-Skënderbeu. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Orges Shehi ka dhënë një konferencë për shtyp.
Gjendja ekipit përpara takimit ndaj Skënderbeut
“Pas 36 javëve jemi munduar që të rifreksonim pak skuadrën me disa minuta më pak në ndeshjen e fundit. Gjatë kësaj periudhe kemi punuar të riaftësojmë me grupin Taipin dhe Carën , të cilët i janë bashkuar skuadrës. Ekipi është i plotë dhe i përqendruar për takimin e nesërm. Na mungon edhe një seancë stërvitore që do të zhvillojmë sot dhe pastaj do të vendosim përfundimisht se kush do ta fillojë ndeshjen nga fillimi dhe kush jo”.
Si e shihni ndeshjen me Skënderbeun?
“Me të gjitha skuadrat jemi përballur katër herë. Me disa skuadra kemi bilanc pozitiv dhe me disa të tjera mund të kemi bilanc negativ. Unë mendoj që në këtë fazë kushdo skuadër që është mund të ketë pretendimet e veta, gjë e cila e vështirëson shkallën e përqendrimit dhe vlerësimit sepse një ndeshje është. Në këtë pikë ne do ta vlerësojmë Skënderbeun si skuadër që është renditur e katërta, që ka objektivat e veta dhe është një skuadër që ne kërkojmë ta mundim për të shkuar në finale”.
Ju favorizon formati që edhe me barazim kaloni në finale?
“Unë mendoj se duket sikur është një ndeshje Kupe. Ke marrë një rezultat të mirë në fushën e kundërshtarit dhe kur kthehesh në ndeshjen e dytë në shtëpi ke dy rezultate. Nuk është se na favorizon shumë por duhet ta kemi si pikë orientimi për të mos ulur dozën e përqëndrimit , vlerësimit dhe motivimit. Në futboll gjithçka ndodh dhe nuk duhet ta mendojmë që edhe me barazim kalojmë në finale. Objektivi ynë i vetëm është që të jemi në finalen e 26 majit”.
Mendoni se pas 36 javësh do ishte kjo renditje për Partizanin?
“Formulën e dinim që në fillim. Unë mendoj që Partizani ka zhvilluar sezonin e dytë mbi mesataren dhe shumë të mirë. Pse e them këtë, sepse nëse sezonin e kaluar e mbylli me 67 pikë këtë vit e mbyll me 63 pikë, panvarësisht formulës. Kjo tregon vazhdimësi , një qëndrueshmëri të skuadrës, një mentalitet të mirë. Të paktën nga eksperienca që kam unë në Shqipëri shumë pak skuadra mund ta bëjnë këtë. Vazhdimësia është shumë e rëndësishme përsa i përket mentalitetit dhe atë që ne duam që skuadra jonë të jetë gjithmonë në majat e renditjes.
Ecuria pozitive përpara ndeshjeve të Final 4
“Eshtë e vërtetë që kemi një periudhë të mirë. Pas ndeshjes në Rrogozhinë kemi 5 fitore radhazi të cilat sigurisht ndikojnë për anën psikologjike të skuadrës. Mendoj se është diçka e mirë sepse gjithmonë skuadra të jetë aty ku duhet. Ato 5 fitore ndikojnë për mirë, por duhet të rrisim përqendrimin, sepse kur besimi është i madh, ndonjëherë bie pak përqëndrimi. Ne futboll nuk ka gjera të lehta, ka gjëra të vështira dhe gjërat e vështira ti bësh të lehta duhet të kesh përqendrimin dhe vlerësimin e duhur”.
Prisni një ndeshje spektakli në “Air Albania” atë që presin edhe tifozët?
“Unë mendoj që tifozët e të dyja skuadrave presin vetëm fitore, ose kalimin e turit, nuk presin spektakël, sepse në fund fare fitorja ka rëndësi. Sigurisht kur ti kërkon të performosh mirë atëherë ke edhe premisa për të arritur atë që kërkon kualifikimin. Ndeshja nesër do të jetë e luftuar, e vlerësuar nga dy skuadrat. E dimë që është një ndeshje ku të dyja skuadrat do të japin 100% e vet”.
Ju favorizon fakti që keni luajtur më shumë ndeshje se Skënderbeu në “Air Albania”dhe më shumë mbështetje nga tifozëria?
“Sigurisht që tifozëria është arma e jonë plus. Do ti kemi të shumtë nesër sepse e kanë treguar që na kanë ndjekur dhe kanë qenë gjithmonë përkrah nesh. Përsa i përket fushës unë nuk mendoj se jemi ne të avantazhuar. “Air Albania” është një stadium që i motivon dhe i karikon vet të gjitha skuadrat. Nuk e shoh që një skuadër është e favorizuar kur luan këtu. Në një stadium komod si “Air Albania” të gjithë kërkojnë të japim maksimumin dhe të shprehin më të mirën e tyre edhe për vet ambientin që krijohet”.
Atmosfera që pritet të krijojnë tifozët e Partizanit?
“Ata janë lojtari ynë i 12-të. E kam thënë edhe herë të tjera, gjej rastin ti falenderoj sepse edhe kur s’kemi qenë aty ku duhet ata kanë qenë gjithmonë në nivelin e tyre, gjithmonë prezent. Kam besim që nesër do të jenë si përherë në mbështetje të skuadrës. Nuk e di se çfarë efekti do të ketë atmosfera e tyre te Skënderbeun, por te ne është e sigurtë që ka efekt shumë të madh”.