Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Trajneri i korçarëve, Ivan Gvozdenoviç, flet në pragndeshjen, Partizani-Skënderbeu: Luajmë pa presion, kërkojmë finalen dhe titullin kampion. Sot, gjysmëfinalja e “Final 4”, në “Air Albania”, ora 20:00

Lexo

Trajneri i korçarëve Ivan Gvozdenoviç kërkon një ekip të qetë që të shijojë çdo moment këtë pikë të kampionatit ku ka arritur skuadra e tij në prag të ndeshjes me Partizanin. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri serb i Skënderbeut ka folur rreth ndeshjes së sotme, që mbetet një takim prestigji, ku Skënderbeu nuk ka asgjë për të humbur, por ka shumë për të fituar nëse arrin të kalojë. Sipas trajnerit, besimi në kampin bardhekuq është i madh, duke parë impenjimin dhe cilësitë e ekipit të tij në këtë moment.

Ivan, jemi në ditën e ndeshjes. Çfarë mendoni sot?

Në fakt kam menduar vetëm për ekipin dhe për mënyrën që duhet të luajmë për të kaluar me sukses këtë takim. Është diçka e veçantë dhe ne do të mundohemi të shijojmë sa më shumë të jetë e mundur në këtë moment. Fakti që askush nuk e priste të ishim këtu, por ne ia dolëm të kalonim përtej pritshmërive, na bën të jemi të plotësuar sa i përket asaj që kemi marrë nga ky kampionat. Tani mendojmë që të shijojmë sa më shumë këtë takim.

Si vjen Skënderbeu në këtë ndeshje?

Për fat të mirë jemi të plotë dhe të gjithë gati për të luajtur. Kemi zhvilluar përgatitjet me shumë përqendrim dhe mobilizim për të marrë më të mirën e mundshme dhe nuk kemi pasur asnjë problem në aspektin fizik. Kjo është ajo që na bën të jemi të bindur për të hedhur në fushë lojtarët që gëzojnë formën më të mirë, si dhe një ekip të përgjegjshëm e të përqendruar.

Përballë keni Partizanin. Sa të vështirë e prisni?

Në këto momente, kushdo që do të ishte kundërshtari ynë, do të ishte një ndeshje e vështirë, pasi janë ekipe që në raport me pjesën tjetër të kampionatit, kanë treguar një ecuri më të mirë dhe kanë merituar të jenë në këtë pjesë finale të sezonit. Është një kundërshtar i fortë dhe ne do ta respektojmë në maksimum, por pa pasur frikë nga ata. Jemi Skënderbeu dhe kemi respekt për kundërshtarin, por kurrsesi frikë nga kundërshtari.

Nisur nga kjo, Skënderbeu do të kërkojë fitoren?

Padyshim, ne shkojmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin. Aq më shumë në një takim si ky, kur fitorja është rezultati i vetëm që na bën punë për të kaluar më tej. Nuk është se kemi qëllim fitimin e titullit dhe çdo gjë tjetër është dështim. Jo, por në këtë pikë ku kemi arritur duam të provojmë që të jemi ne ata që do të kalojnë në finale dhe pse jo të fitojmë titullin. Mundësitë janë, pasi cilësi kemi treguar gjithmonë dhe besoj tek aftësitë e lojtarëve të mi.

Mbi kë rëndon më shumë presioni në këto momente?

Nuk di ta them me siguri, por ne nuk kemi presion. Normalisht emocion besoj se do të kenë lojtarët që do të hyjnë në fushë. Vetë stadiumi kombëtar të krijon njëfarë emocioni, por jemi profesionistë dhe do ta përballojmë me shumë qetësi. Sa i përket Partizanit, nuk e di se çfarë presioni kanë dhe nuk dua të mendoj për asgjë tjetër, veçse për ekipin tim.

Çfarë do t’i thoshit Shehit para këtij takimi?

I them: “Le të fitojë ekipi më i mirë”. Nuk është një përballje mes meje dhe Shehit, por luan Skënderbeu kundër Partizanit. Shehi është një mik i imi dhe respekti është maksimal. I uroj suksese, pasi është trajner shumë i mirë, ashtu siç ka qenë edhe lojtar.

Bilanci juaj është pozitiv ndaj Partizanit. Do të vijojë edhe tani?

Të shpresojmë që do të vijojmë të jemi ne në avantazh ndaj Partizanit në gjithë këtë sezon. Nuk besoj shumë tek statistikat, por janë një tregues që thonë diçka. Mendoj se do të jetë një ndeshje e bukur dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Të fitojë ekipi që tregon bindjen dhe dëshirën më të madhe në fushë.

Llazi SARO

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img