Puka turistike ka mirëpritur boksierët e kombëtares së Shqipërisë U16, për cilët prej rreth një jave po stërviten në palestrën e boksit vënë në dispozicion nga Bashkia Pukë. Në programin stërvitor, janë dy seanca stërvitore në ditë, ajo e paradites me vrapime në natyre duke shikuar edhe ajrin e pastër të qytetit verior dhe më pas e pasdites në palestër.
Grumbullimi në Pukë për kombëtaren e Shqipërisë është në kuadrin e përgatitjeve për Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Bosnje nga data 19 Qershor deri 2 Korrik.
E veçanta e kësaj kombëtare është se Shqipëria do përfaqësohet me 4 boksier, ku 3 nga këto janë pjesë e ekipit Tërbuni Boks, ndërkohë që edhe trajneri i kombëtares Klaodio Çekini është trajneri i ekipit pukjan, Tërbuni.
Konkretisht, lista e kombëtares së Shqipërisë U-16 përbëhet nga tre boksierët e Tërbumit dhe konkretisht Kristian Jubani, nën kampion i Europës, konkurues në peshen 48 kg, Enea Brahaj, pesha 50 kg dhe Jurgen Lazri, pesha 63 kg, ndërkohë që boksieri i katërt i përket ekipit të Tiranës, që është Ridvan Gashi në peshën 66 kg.
Në prononcimin dhënë për Veriu Sport, trajneri kuqezi Klaodio Çekini, falendeon Bashkinë Pukë dhe personalisht kreun e këtij institucionji, Rrok Dodaj, për mbështetjen e dhënë dhe kushtet ideale të krijuara për stërvitje.
Ndërkohë, duke folur për proçesin stërvitor, ai shprehet shumë i kënaqur me formën e boksierëve duke qënë optimist për fitimin e medaljes së artë në Kampionatin Europian të 16-të vjeçarëve që zhvillohet me 16 qershor në Bosnje. Optimizëm që mbështetet edhe nga njëri prej boksierëve, Jurgen Lazri i peshës deri në 50 kg.
Prononcimet e plota në video të trajnerit të kombëtares, Klaodio Çekini dhe boksierit Jurgen Lazri, si dhe pamje nga seanca stërvitore në Pukë, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu SPORT-YOUTUBE.
Fadil HYSENI-Pukë, 31 maj 2024