Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur merkato e Vllaznisë ka nisur vonë, këtë radhë duket se në kampin kuqeblu kanë një strategji tjetër. Nga sa shikohet, drejtuesit kërkojnë të mbyllin sa më shpejt çështjen e merkatos duke plotësuar ato vende që stafi teknik i konsideron të nevojshëm.
Dhe, kjo u duk, në fakt pa përfunduar ndeshjet e “Final 4”, kur dy qëndërmbrojtësve Stojanoviç dhe Juriç iu rinovua kontrata duke e zgjatur bashkëpunimin edhe për një sezon tjetër futbollistik.
Nuk zgjati shumë dhe presidenca mbylli punë shpejt e shpejt me kroatin Amir Kahramanoviç duke e veshur edhe atë kuqeblu, firmë kjo për llogari të repartit të mesfushës.
Jashtë vemendjes nuk kanë mbetur edhe firmat brenda shtëpisë me tre talentët e Akademisë së Futbollit Vllaznia, Zaganjori, Dodaj dhe Halili.
Ndërkohë që tashmë, radha është për dy firma të tjera që kanë të bëjnë me dy futbollistë potent të kampionatit shqiptar.
Në fak, për njërin, ish kapitenin kuqeblu Erdenis Gurishta ka të bëjë me një rikthim në shtëpi pas asaj eksperiencë të re në Bullgari, që nuk shkoi siç shpresonte ai, pasi, pas një dëmtimi të gjatë, mbrojtësi i djathtë doli jashtë planeve të klubit në fjalë.
Ditë me herët, falë një foto të publikuar në rrjett sociale me një nga pjesëtarët e stafit bardheblu, në media u komentua që Gurishta kishte ftesë nga Tirana. Por, edhe nëse mund të ketë qënë një gjë e tillë, rikthimi i Gurishtës në Shqipëri ka vetëm një pistë, atë të Vllaznisë.
Nga sa bëhet e ditur, Gurishta ka qenë në kontakt vazhdimisht me klubin kuqeblu për një kthim të mundshëm në Shkodër, por tashmë gjërat kanë përshpejtuar. Takimi me presidentin Alban Xhaferi ka bërë që palët të kenë gjetur gjuhën e përbashkët për një rikthim të mbrojtësit të djathtë në radhët e kuqebluve për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Thomas Brdariç i cili e njeh shumë mirë. Ky do të ishte një tjetër përforcim cilësor për klubin shkodran, duke llogaritur se nga radhët e tij pritet të largohet gjatë verës mbrojtësi Geralb Smajli.
Përpos Gurishtës, burimet brenda klubit kuqeblu bëjnë të ditur se Vllaznia ka gjetur akordinedhe me Ardit Deliun, futbollist ky, i cili e ka mbyllur me Tiranën duke qënë një lojtar i lirë. Nga të njëjtat burime mësohet, se dy futbollistët në fjalë pritet të firmosin zyrtarisht gjatë ditës së hënë me KF Vllaznia.