Kombëtarja e Shqipërisë luan mbrëmjen e së mërkurës ndeshjen e tretë eliminatore të Botërorit “Katar 2022”. Në dy sfidat e para, bilanci është një fitore në transfertë me Andorrën dhe humbje në shtëpi me Anglinë, ndërkohë që përballja e tretë eleminatore është përsëri në transfertë. Këtë radhë kundërshtari quhet San Marino, një skuadër e lehtë në letër, por që sipas shkodranit kuqezi, Elseid Hysaj, ndeshja në fjalë duhet vlerësuar dhe respektuar si duhet. Prononcimin e tij, Hysaj e dha gjatë konferencës për shtyp që u mbajt pasditen e sotme në San Marino në cilësinë e kapitenit të kombëtares së Shqipërisë pak çaste përpara zhvillimit të seancës stervitore, të fundit përpara sfidës zyrtare që luhet të mërkurën në orën 20.45.
“Përballë San Marinos duhet të tregohemi më të kujdesshëm se me Anglinë. Janë ndeshje që duken të lehta në letër, por nuk është kështu. Do të zbresim në fushën e lojës vetëm për tri pikë. Fizikisht dhe psikologjikisht jemi mirë, jemi mësuar tashmë të luajmë çdo tri ditë. San Marino është një skuadër që rri shumë në mbrojtje. Kemi parë dhe disa ndeshje të kundërshtarit se si luan, kemi zgjedhur disa skema që të përballojmë dhe të kalojmë me sukses këtë sfidë.
Humbja me Anglinë nuk është se ka ndikuar në moralin e skuadrës, sepse të gjithë e dinim se ishte një ndeshje shumë e vështirë. Nëse do të fitonim, do të ishte super. Nëse do të ishim më të përqëndruar, mud të bënim diçka më shumë. Jemi munduar të japim maksimumin, por Anglia është Anglia. Kemi një skuadër të mirë dhe një trajner të shkëlqyer. Jemi në një grup ku mund të provojmë mundësitë tona me të gjitha skuadrat. Duhet të tregohemi të përqëndruar si në ndeshjen me Anglinë, por rastet që krijojmë duhet t’i shfrytëzojmë maksimalisht, që të marrim tri pikët. Është bukur të mbash shiritin e kapitenit, por kur merr ftesën për të qenë i pranishëm në Kombëtare, është një ndjesi e veçantë”, është shprehur shkodrani Elseid Hysaj në cilësinë e kapitenit të kombëtares së Shqipërisë në mungesë të portjerit Berisha, i cili është deklaruar nga stafi si kapiten i parë në skuadrën kuqezi.