Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti në konferencën për shtyp tha se Spanja është një ekip shumë i fortë, por të gjithë djemtë janë gati për të dhënë më të mirën e për të marrë maksimumin nga kjo sfidë.
Ndeshja ndaj Spanjës? – Spanja është një ekip shumë i fortë, por të gjithë çunat janë gati për këtë sfidë nesër. Gjëja më e rëndësishme është që jemi në garë dhe kemi mundësi ta kalojmë grupin dhe do bëjmë gjithçka mundemi që ta bezdisim Spanjën.
Spanja me formacionin e dytë ndaj Shqipërisë? – Nuk ndikon aspak sepse edhe formacioni i dytë i Spanjës ka të njëjtin nivel si formacioni i parë. E dimë kë kemi përballë i njohim kundërshtarët. Nuk e mendojmë aspak që ata do luajnë me ekipin e dytë, por do e marrim sfidën po aq seriozisht siç do ishte po të luanin me ekipin e parë.
Pezullimi i Dakut nga Komisioni i UEFA-s? – Duhet të fokusohemi në ndeshjen e nesërme. Daku ka bërë gabim dhe ka kërkuar falje. Ne do të kemi kundërshtar të vështirë nesër dhe vetëm për këtë do mendojmë.
A është një mision i pamundur fitorja ndaj Spanjës? – Asgjë nuk është e pamundur në jetë, por sigurisht që është ndeshje e vështirë. Ne sigurisht që do të bëjmë maksimumin dhe do tentojmë që t’i shqetësojmë kundërshtarët.
UEFA ka gjobitur sërish FSHF-në për shkak të tifozëve? – Jam këtu për të folur për çështjen e kualifikimit, këto janë gjëra për të cilat përkujdeset UEFA. Arsyeja pse jemi këtu ka të bëjë me ndeshjen dhe për atë që do bëjmë nesër dhe do të bëjmë më të mirën.