Monday, November 25, 2024

Smajli: Vllaznia e ka më të lehtë për të fituar me Partizanin se sa me ekipet e tjera të lehta në “letër”

Lexo

Për lezhjanin Dritan Smajli që ka luajtur me sukses përreth pesë vite me kuqeblutë, Vllanzia e ka më të lehtë të ndeshet me Partizanin se sa me ekipet e tjera të ashtuquajtura të lehta në letër. Të mërkurën ai ishte në Shkodër në cilësinë e drejtuesit të Akademisë së Futbollit Shënkolli duke ndjekur derbin Vllaznia-Shënkolli U-19, por ndërkohë krahas opinionit të tij për ndeshjen në fjalë, ish mbrojtësi kuqeblu ka folur edhe për ballafaqimin e Superiores së ditës së shtunë në “Loro Boriçi”, Vllaznia-Partizani.

“Çdo ndeshje ka vështirësinë e vet, por unë mendoj se Vllaznia do ta ketë më të thjeshtë me Partizanin se sa me një skuadër tjetër më të lehtë në letër. Sepse kuptohet që Vllaznia ka dëshirë të luajë me skuadra që luajnë futboll të hapur, pra jo me ato ekipe që vijnë në Shkodër dhe luajnë në mbrotje duke parkuar autobusin. Me to është shumë e vështirë për t’i çarë.”, shprehet Dritan Smajli për Veriu Sport.

Më pas, ai komenton dhe situatën në fjalë të kuqebluve. “Kuptohet që çdo skuadër kalon vështirësitë e veta, shpresoj shumë që Vllaznia ta ketë kaluar tashmë dhe të jetë një skuadër tjetër rivale që të kalojë në moment të vështirë . Dhe, unë kam bindjen e plotë se Vllaznia do t’ia dalë me Partizanin për hirë të së vertetës, sepse ia ka dalë në ndeshjet e mëparshme. Kështu mendoj unë dhe uroj me gjithë shpirtë që t’ia dalë”, thekson Smajli.

Vllaznia luan në dy fronte, Kupë dhe Kampionat, si mendon Smajli, a mund t’ia dalë të fitojë këto dy trofe të rëndësishëm për t’u futur në histori ashtu si në 1972-shin? “Deri vonë kishim frikë që Vllaznia mund të rrezikonte liçensimin, duhet ta shikojmë shumë pozitive dhe duhet përgëzuar puna jashtëzakonisht e mirë e kryetares së Bashkisë, por edhe e sponsorit Alban Xhaferi që mundësuan pagesën që Vllaznia të liçensohet. Tani kuptohet që të luftosh në dy fronte  shkalla e vështirësisë është e madhe. Megjithatë, unë mendoj që Vllaznia është shumë më afër titullit kampion sivjet. Le të presim se çfarë do të ndodhë ditën e shtunë, me shpresë në një fitore, dhe pastaj do të flasim ndryshe, do të flasim për një Vllazni seriozisht kampione, dhe unë e uroj me gjithë shpirt. Kupa ka rëndësinë e vet, por në bisedë me tifozët kuqeblu, sepse unë komunikoj shumë me to, ato janë të përqëndruar tek titulli kampion, pasi i ka marrë malli për një trofe të tillë. Dhe kjo është e vërtetë, kemi 20 vite që e presim dhe le të jetë ky viti i duhur për të fituar trofenun kampion”, përfundon ish futbollisti i Vllaznisë, Dritan Smajli duke shtuar se “këto janë fjalë zemre që dalin nga zemra pasi jam një tifoz i thekur i Vllaznisë dhe e dua shumë.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img