Federata Shqiptare e Futbollit përmbylli me sukses seleksionimin tre ditor me futbollistet vajza në Oslo të Norvegjisë. Ky seleksionim u organizua në bashkëpunim me Petrit Hasanaj, një skaut shqiptar i cili punon në Sektorin e Edukimit në Federatën Norvegjeze të Futbollit dhe u ndoq nga afër nga trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima dhe përgatitësi atletik Ylli Bakaj.
Gjatë këtij seleksionimi tre ditor në Norvegji u testuan 79 vajza me origjinë shqiptare, të ndara në grupe. Në ditën e parë morën pjesë 42 vajza, të cilat u testuan nga stafi shqiptar me në krye teknikun e Kombëtares A, Armir Grima, ndërsa në ditën e dytë 37 vajza. Sakaq, në ditën e fundit u zhvilluan në total tre ndeshje miqësore me vajzat që spikatën gjatë dy ditëve të para të seleksionimit.
Përshtypjet e stafit për vajzat që morën pjesë në këtë seleksionim kanë qenë mjaft pozitive dhe Departamenti i Ekipeve Kombëtare ka mbledhur tashmë të gjitha të dhënat e nevojshme për disa nga vajzat që spikatën në këtë seleksionim, që në të ardhmen do të mbahen në vëzhgim të vazhdueshëm dhe mund të japin kontributin në ekipet Kombëtare të vajzave