Saturday, November 23, 2024

(Intervista) Prag Valur-Vllaznia, flet trajneri shkodran Silvan Çokajn, që jeton prej 5 vitesh në Islandë: Valur ka sulm të shpejtë dhe të rrezikshëm, por mbrojtje të hapur ku mund ta godasë Vllaznia

Lexo

Jeton prej 5 vitesh në Islandën e largët dhe mund të jetë ndër shkodranët e pakët atje. E kemi fjalën për

“Panorama Sport” ka zhvilluar një intervistë me të, për të mësuar diçka më shumë në lidhje me kundërshtarin e Vllaznisë, pikërisht Valurin, futbollin islandez, kushtet atmosferike dhe atë që i presin kuqeblutë atje.

Ju jetoni prej vitesh në Islandë dhe nisur edhe nga profesioni i trajnerit, si e vlerësoni kundërshtarin e Vllaznisë?

Ju falënderoj për interesimin, po u bënë 5 vite që jam trajner i moshave këtu dhe tashmë mund të them që e njoh mirë futbollin në këtë vend. Sa i përket kundërshtarit të Vllaznisë, është një ekip mjaft i fortë dhe me eksperiencë dhe ndër më të titulluarit e Islandës, por jo një kundërshtar i pakalueshëm.

Ku duhet të bëjë kujdes më shumë Vllaznia dhe ku mund ta godasë këtë skuadër. Pra, cila është pika më e fortë dhe e dobët e kësaj skuadre?

Vllaznia duhet të bëjë kujdes nga sulmi i Valurit, që është pika e tyre e fortë. Ka lojtarë mjaft të shpejtë dhe me shumë eksperiencë. Është një ekip që preson lart dhe luan shumë saktë në zonat e ngushta. Ka një sulmues tipik, të shpejtë dhe teknik siç është Pedersen, i cili është dhe golashënuesi i momentit në këtë kampionat, i cili mbështetet nga një mesfushë shumë inteligjente dhe me eksperiencë siç janë Sigurdson dhe Johanson. Gjithashtu një pikë e tyre mjaft e fortë janë dhe goditjet standarde. Janë shumë të saktë dhe të fuqishëm në këtë aspekt. Ndërsa te pika e dobët, mbrojtja mendoj se lejon shumë hapësira mbrapa, për vetë faktin e lojës sulmuese dhe kjo gjë mendoj se duhet shfrytëzuar nga lojtarët e Vllaznisë.

Një ekip me moshë mesatare tepër të lartë. Si shpjegohet kjo?

Sa i përket moshës së lartë, mendoj që është një strategji e filozofisë së lojës së trajnerit që si duket i beson shumë lojtarëve me eksperiencë për të arritur objektivat e tij.

Skuadra islandeze po ecën mirë në kampionat, a është një disfavor kjo për Vllazninë?

Sigurisht që ky është një minus për Vllazninë, e cila sapo ka mbaruar fazën përgatitore dhe po formaton ekipin për sezonin e ri. Ndërsa Valur është në mesin e sezonit ku lojtaret janë në kulmin e tyre nga ana fizike tashmë dhe të harmonizuar me njëri-tjetrin.

Si janë kushtet në Islandë, temperatura apo fusha?

Besoj do të jenë të përshtatshme për të dyja ekipet këtu, por ajo që ndoshta do penalizojë lojën e Vllaznisë është fusha me bar sintetik, ku lojtarët e Valurit shprehen shumë mirë në të tilla terrene. Kjo për faktin që luajnë dhe stërviten në terrene të tilla, ndërsa temperaturat në ndeshjen e kthimit, sigurisht mendoj që do kenë ndikim në performancën e lojtarëve të Valurit.

Sa jeni i informuar për Vllazninë dhe merkaton e saj?

Për arsye të angazhimeve që kam këtu mbase nuk jam totalisht në brendësi të situatës në klub, por falë jush (gazetarëve) për përditësimin e lajmeve, shikoj që Vllaznia po tregohet e kujdesshme në merkato dhe ka afruar 2 lojtarë interesant siç është Deliu dhe Kahrimanoviç, të cilët mbetet për tu parë si do të përshtaten, por edhe rikthimi i Gurishtës është një siguri e madhe në mbrojtje. Gjithashtu shoh që tashmë po hidhen sytë dhe nga lojtarët e akademisë, diçka shumë pozitive dhe frytdhënëse për të ardhmen e klubit.

Përtej dëshirës, sa e shikoni realisht Vllazninë në turin tjetër?

Nëse Vllaznia merr rezultat pozitiv në ndeshjen e parë sigurisht që e shoh me shumë optimizëm kalimin e turit. Megjithatë duhet që të jenë shumë të kujdesshëm nga forca e Valurit në shtëpinë e vet.

Çokaj sot trajner me moshat, mund të presim që një ditë të jetë edhe pjesë e ekipeve të Superiores aty?

Sigurisht që synimet dhe objektivat e mia të së ardhmes janë që të jem pjesë e elitës së futbollit këtu dhe po punoj dita ditës për këtë gjë. Por, çdo gjë do kohen e vet, me pëlqen të eci me hapa të vegjël dhe të sigurt. Asgjë nuk është e lehtë për ne të huajt.

Admir URUÇI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img