Thursday, September 19, 2024

Sporti shkodran në zi! Ndërron jetë në moshën 67 vjeçare mjeshtri i shquar i volejbollit, Gjino Mjeda

Lexo

Gjino Mjeda, mjeshtri i shquar i volejbollit shkodran dhe atij shqiptar nuk jeton më. Lajmi në fjalë konfirmohet nga familja Mjeda, duke bërë të ditur se një prej legjendave të volejbollit shkodran mbylli sytë në orën 01 të mesnatës që 19 gushtit duke mos mundur t’i bëjë ballë më një sëmundje në mushkëri që e shqetësonte këto vitet e fundit.

Një lajm që ka tronditur thellë tërë opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë, jo vetëm për moshën e ndarjes përpara kohe nga jeta, por edhe për kontributim e madh që Gjino Mjeda ka dhënë për sportin e rrjetës.

Nga sa bëhet e ditur ceremonia mortore e përcjelljes për në banesën e fundit të Gjino Mjedës, do të zhvillohet mesditën e së martës, ora 12:00, në shtëpinë e familjes Mjeda pranë Kishës së Arrës sëë Madhe-Shkodër.

Karriera sportive e Gjino Mjedës

Sa i përket karrieres sportive, Gjino Mjeda, me ekipin e parë të Vllaznisë në Volejboll meshkuj është bashkuar në vitin 1973 duke qënë në një moshë të re 16 vjeçare, për t’u mos u ndarë më nga fusha e lojës për një periudhë të gjatë 18 vjeçare duke qënë titullar me peshë dhe i padiskutueshëm në formacionin kuqeblu.

Trajnerët, me të cilët ka bashkëpunuar, Mark Grimci, Flamur Agolli, Ali Bushati, janë shprehur me superlativa për aftësitë individuale që zotëronte Gjino Mjeda, i cili spikatjen më të madhe e kishte si shuter, ku falë kërcyeshmërisë së tij të lartë konsiderohej si “fluturues i rrjetës”.

Duke luajtur përkrah emrave të tillë të njohur të volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, si Irfan Boriçi, Adrian Shiroka, Viktor Miri, Mark Kroqi, Irfan Domnori, Gjon Çoba, Fatmir Gruda, Adnan Boriçi, etj të drejtuar nga trajneri Mark Grimci, Gjino Mjeda jep kontributin e tij në fitimin e tre Kupave të Republikës me Vllazninë në vitet 1985, 1988 dhe 1989.

Falë vlerave dhe asaj që ai dha për volejbollin shkodran në vite, Gjino Mjeda është përzgjedhur në listën e volejbollistëve të shekullit me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Sport Klub Vllaznia. Ndërkohë, një tjetër vlerësim është edhe akordimi i titullit “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës.

Portali “Veriu Sport”, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Mjeda për humbjen e njeriut të tyre të afërt, si dhe komunitetit të sportit të volejbollit shkodran e më gjërë për humbjen e një figure të spikatur të sportit të volejbollit.

Pushofsh në paqe, Gjino Mjeda, i përjetshëm qoftë kujtimi yt!

Gaspër MARKU-Shkodër, 19 gusht 2024

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img