Kuqeblutë e koshit shkodran të drejtuar nga trajneri amerikan, Matheë Jones duket se janë futur në rrugën e duhur të kampionatit. Ndonëse, realisht, fillimi nuk ishte i mirë, kjo edhe për mungesë të kushteve stervitore por edhe të mos ambientimit të lojtarëve të huaj të ardhur në ekip, në javët në vazhdim gjërat kanë ndryshuar. Themi kështu se tashmë paraqitjet e Vllaznisë janë krejt ndryshe në fushën e lojës, jo vetem në drejtim të cilësisë por edhe të rezultateve pozitive që skuadra po regjistron nga java në javë.
E tillë ishte edhe ndeshja e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ku kuqeblutë u ndeshëm me ekipin e Tiranës. Fillim spektakël i skuadrës shkodrane në periodën e parë duke bërë që në harkun kohor të dhjetë minutave diferenca me skuadrën kundërshtare të shkojë në tetë pikë, 23 me 15.
Por, çuditërisht, dhjetë minutat e periodës së dytë shfaqin në fushë një Tiranë shumë të mobilizuar, e cila arrin ta fitojë këtë periodë me shifrat 26-33 duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me vetëm një pikë diferencë në favor të Vllaznisë me shifrat 49-48.
Me kthimin në fushë për pjesën e dytë, tekniku amerikan Matheë Jones ka bërë lëvizjet e duhura në formacionin kuqeblu dhe rezultatin vjen menjëherë. Kështu Vllaznia fiton periodën e tretë me shifrat 20 me 16 duke e rritur diferencën me kundërshtarin në 5 pikë. Loja e mirë e kuqebluve vijon edhe në periodën e katërt, e cila fitohet po nga Vllaznia me shifrat 20 me 10 dhe në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja mbyllet me rezultatin e përgjithshëm 92 me 74, që do të thotë me 18 pikë diferencë në favor të kuqebluve.
Fitore kjo që e mbyllë fazën e dytë me optimizëm në kampin kuqeblu, të cilët në ndeshjet në vazhdim pritet të ecin në këtë rrugë pozitive drejt objektivit të marrë për fitimin e titullit kampion, që nëse arrihet do të jetë i dhjeti për Vllazninë.