Tirana-Vllaznia 3-1(25-22, 20-25,25-19, 25-21)
Për javën e pestë të Kampionatit Kombëtar të Superligës në Volejboll për meshkuj Vllaznia ka qënë mysafire në kryeqytet duke u ndeshur me ekipin bardheblu të Tiranës. Dy ekipe këto që kanë nisur një sezon me luhatje në rezultate, teksa vinin në këtë përballje me bilancin nga 1 fitore dhe 2 humbje secila.
Fusha e lojës ka treguar se përballë njëra tjetrës kanë qënë dy skuadra pak a shumë të barabarta, gjë që e treguan edhe shifrat e setit të parë që deri në pikën e 22-të ishin me rivalitet, por tiranasit tregohen më të saktë duke shënuar tre pikët e fundit ku fitojnë setin e parë me shifrat 25 me 22.
Në setin e dytë të besuarit e trajnerit Artan Kalaja i bëjnë një përmirësim të ndjeshëm lojës së tyre ku suprioriteti duket që në pikët e para duke mos e lëshuar kryesimin deri në fund të setit, të cilën e fitojnë me meritë me shifrat 20 me 25.
Atëherë kur pritej që ritmi pozitiv i Vllaznisë së setit të dytë të vijojë edhe në të tretin, ndodhë e kundërta, sepse është skuadra vendase, e cila merr iniciativen duke mos falur. Edhe pse kuqeblutë bëjnë përpjekjet e duhura për të rihyrë në garë, Tirana nuk e lejon Vllazninë të mbërrijë më shumë se deri tek pika e 19-të. Në këtë mënyrë, bardheblutë e drejtuar nga trajneri Arben Sako e mbyllin me fitore këtë set me shifrat 25-19 duke marrë kryesimin me sete 2 me 1.
Ai që vendos gjithçka është seti i katërt, ku për vendasit është vendimtar që në rast fitoreje, fitojnë të gjithë ndeshjen, ndërkohë që për Vllazninë, lufta sportive është për ta çuar ndeshjen me set final.
Një set që për hirë të së vertetes pati brenda emocione të shumta, pasi të dyja skuadrat po shkonin në një barazpeshë pikë pas pike, por fundi flet për bardheblutë e Tiranës, të cilët arrijnë ta finalizojnë fitoren e këtij seti me shifrat 25 me 21 dhe në këtë mënyrë fitojnë të gjithë ndeshjen me sete 3 me 1.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e katërt me 6 pikë, ndërsa Vllaznia, e cila në katër ndeshje ka regjistruar tre humbje dhe vetem një fitore mbetet në vendin e pestë me 3 pikë.